Gati 46 mijë votues në bashkinë Malësia e Madhe në veri të Shqipërisë do të kenë mundësinë të zgjedhin për kryetar bashkie mes kryetarit aktual, Tonin Marinaj dhe kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Isa Ramaj. Votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes 20 partive të ndryshme për postet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Këshilli në këtë bashki ka 31 anëtarë. Në listat shumëemërore të partive garuese për Këshill Bashkiak gjenden 668 kandidatë.
Këshillat bashkiake në zgjedhjet për pushtetin vendor zgjidhen sipas listave të mbyllura. Në rast se një qytetar voton një parti të caktuar, personi i parë i listës së kësaj partie ka shanse për të hyrë në këshill.
Malësia e Madhe përbëhet nga njësitë administrative Koplik, Gruemirë, Kastrat, Kelmend, Qendrër dhe Shkrel. Ajo shtrihet në 951 kilometra katrore dhe ka 56 fshatra dhe dy qytete. Ajo shtrihet nga brigjet e liqenit të Shkodrës deri në Vermosh përgjatë kufirit me Malin e Zi.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 45% në vitin 2015, gjë që duket se reflekton shkallën e lartë të emigrimit të zonës.
Në zgjedhjet e viteve 2007 dhe 2011, kandidatët e së djathtës kanë pasur avantazh të konsiderueshëm kundrejt të majtës në komunat e kësaj bashkie. Kjo ndryshoi në vitin 2015, kur Partia Socialiste e mori bashkinë përmes Tonin Marinajt, një biznesmen dhe zyrtar publik. Marinaj arriti të mposhtë demokratët në një zonë tradicionalisht anti-socialiste duke fituar mbi 10 mijë vota, vota të fituara ndërsa socialistët ishin në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. LSI, e cila sot garon në aleancë me ish-kryeministrin Sali Berisha, kishte në atë kohë 15% të votave. Marinaj mbajti mandatin në zgjedhjet pa garë të vitit 2019 kur mori rreth 8 mijë vota.
Koalicioni Bashkë Fitojmë garon me Isa Ramajn, i cili ka qenë më herët kryetar komune si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak.
Nëse zgjedhjet e vitit 2021 mund të shërbejnë si tregues, atëherë gara duket se është e ngushtë. Në këto zgjedhje parlamentare, PS mori 41% të votave ndërsa PD mori 44%. Por Partia Socialdemokrate, e cila është në aleancë jorformale me socialistët dhe drejtohet nga Tom Doshi, mori në territorin e kësaj bashkie afro 1500 vota ose 9%. Rrjedhimisht rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ka gjasa do të varet jo vetëm nga preferencat e votuesve tradicionalë të së majtës dhe së djathtës, por edhe nga shkalla e angazhimit të makinerive politike në këto zgjedhje. Në total, PS dhe PSD kanë marrë bashkë rreth 300 vota më shumë se sa PD dhe LSI.
Bashkia e Malësisë së Madhe ka 340 punonjës. Buxheti i bashkisë për vitin 2022 ka qenë 78 milionë lekë të ardhura dhe 639 milionë lekë shpenzime./ BIRN