Në bashkinë Shkodër, sipërfaqja e përmbytur arrin në 3270 hektarë. Reshjet e kësaj fundjave kanë krijuar probleme të reja, duke zgjeruar hapësirën e tokave nën ujë me 250 hektarë të tjerë.
Sipas të dhënave që përcjell Bashkia e Shkodrës, janë 155 oborre banesash dhe stallash me prani uji, ndërsa në 2 të tjera në fshatin Obot, uji ka vërshuar brenda dhomave.
Shirat kanë krijuar probleme edhe në infrastrukturë, në rrugën e Obotit që kalohet vetëm me makina të larta, në rrugën Darragjat-Shirq dhe në ujësjellësit e Oblikës, të cilët janë jashtë funksionit.
Forcat e emergjencës po punojnë në zonë, edhe pse shirat pritet të vazhdojnë dy ditët në vazhdim.
Por nga ana tjetër, këto prurje po shtojnë energjinë elektrike në hidrocentralet e Drinit, pasi kuotat e ujit në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës janë pranë niveleve maksimale.
Në këto kushte, edhe Korporata Elektroenergjetike po furnizon vendin me energjinë e prodhuar nga këto HEC-e, njëkohësisht po shet në treg të huaj për të përmirësuar financat e veta.
Këtë dhjetor, në 6 ankande të hapura KESH ka përfituar 19 mln euro, ndërsa në përpjekjet e saj për të shkëmbyer energji për periudhën e verës 2023, nuk ka gjetur operatorë të huaj energjetike.
Por, edhe pse kriza në sektor duket të jetë tejkaluar këtë periudhë, qeveria u bën thirrje abonentëve të kursejnë, pasi muajt e parë të vitit të ardhshëm do të jenë të thatë, dhe nevojat për konsum do të rriten nga temperaturat e ulëta.