Përkujtohet muzikologu i shquar Ramadan Sokoli…

Shpërndaje

Më 14 qershor 1920 u lind në Shkodër etnomuzikologu, kompozitori dhe studiuesi i njohur, Ramadan Sokoli.

Arsimin bazë e kreu në vendlindje. Që në moshë të hershme lëvroi në lëmin e kompozicionit, duke u veçuar ndër muzikantët e kohës.

Protesta ndaj fashizmit do t’i kushtonte lirinë, pasi për këtë qendrim armiqësor ndaj pushtuesit do të dënohej me internim në Itali. Megjithatë, muzika do të ishte oazi i artistit në dhè të huaj. I vendosur në Firence, Sokoli kreu Konservatorin “Luigi Cherubini” me rezultate të shkëlqyera.

Me ikjen e forcave fashiste më 1944-ën, kompozitori rikthehet sërish në vendlindje dhe bëhet pjesë e strukturave të Legalitetit. Arrestohet pas lëvizjeve antiqeveritare pas Kryengritjes së Postribës. Pas daljes nga burgu, bëhet pjesë e organizimeve muzikore, duke u zhvendosur nga Ansambli i Ushtrisë në Korin e Filarmonisë.

U bë pjesë e Festivaleve të Këngës e të Valles Popullore, por biografia “e njollosur”, do ta penalizonte në mbarëvajtjen profesionale. Punimet e tij, qenë burim frymëzimi për gjeneratat e reja të artistëve.

Me rastin e 104-vjetorit të lindjes, Universiteti i Arteve, promovoi disa vepra të muzikologut: një album pianistik për piano me 4 duar dhe një përmbledhje e veprave të Ramadan Sokolit për flaut, instrument të cilin e studioi në Itali. Aktiviteti u shoqërua edhe me një performancë muzikore të studentëve të Universitetit të Arteve./atsh/KultPlus.com

Shpërndaje