Buxheti i pushtetit vendor është përkeqësuar ndjeshëm në vitin 2023, teksa të ardhurat kanë pësuar rënie dhe shpenzimet janë rritur.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave që i takojnë 9-mujorit të vitit 2023, të ardhurat e Pushtetit Vendor arritën në 21,3 miliardë lekë me rënie 3,5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, shpenzimet për të njëjtën periudhë arritën në 45,7 miliardë lekë, shumë kjo 7,2 miliardë lekë ose 19% më e lartë se 9-mujori i vitit të kaluar.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë shfaqën përkeqësim në grumbullimin e taksës së banesës, por edhe të tarifave të tjera lokale, zëri më i madh të ardhurave nga taksat e veta.
Të ardhurat nga taksat lokale në 9-mujor arritën në 16,6 miliardë lekë, vlerë kjo 5.4% më pak se plani i periudhës dhe me -2,2 % më pak se fakti i vitit 2022.
Taksat lokale zënë gati dy të tretat e të ardhurave të pushtetit vendor dhe këtë vit, arkëtimet nga ky zë ishin rreth 3,5 milionë euro më pak se viti i kaluar edhe pse ekonomia kombëtare është rritur mbi 3 për qind në 6-muajt e parë të vitit dhe arkëtimin në buxhetin e qeverisë kanë shënuar rritje.
Përkeqësimi më i madh në të ardhurat e buxhetit vendor ishte taksimi i ndërtesave. Arkëtimet nga taksa e ndërtesës ishin 8 për qind më të ulëta se viti i kaluar me një mungesë 3,6 milionë euro, teksa në raport me planin e 9 mujorit diferenca ishte edhe më e madhe me rreth 10 milionë euro.
Shumë bashki sidomos ato të voglat janë duke vuajtur shpopullimin. Largimi jashtë dhe brenda vendit po prek shumë bashkitë me pak banorë e për rrjedhojë po çon në mbylljen e bizneseve dhe braktisjen e banesave.
Rënia e shpejtë e lindjeve, emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë banuese po krijon vështirësi.
Më reformën e re territoriale, bashkitë mbulojnë me shërbime edhe ish- komunat. Por analizat dhe studimet e Kombeve të Bashkuara kanë treguar se shërbimet në zonat rurale janë përkeqësuar, duke bërë që të shpopullohen me tej dekadën e fundit.
Nga a tjetër bashkitë po mbajnë një nivel të lartë shpenzimesh që po rriten nga viti në vit, kryesisht prej transferimit të disa funksioneve nga pushteti qendror tek pushteti lokal, rritja e pagave etj, në një kohë që të ardhurat po bien./monitor/