Përfitoi 570 mijë euro falë mashtrimeve, 5 vite burg për ish-punonjësen e Kuvendit…

Shpërndaje

Ish-punonjësja e Kuvendit, Milena Deraj, e cila akuzohet për mashtrim do të qëndrojë pas hekurave për 5 vite. Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit, marrë këtë të enjte, që lë në fuqi një vendim të 30 prillit të këtij viti, marrë nga Shkalla e Parë.

Sa i përket Milena Derajt, ajo akuzohet se i ka marrë shtetasve Hasan, Abedin dhe Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë euro, duke iu premtuar ndihmë për të fituar një proces gjyqësor. Paralelisht ka pasur në polici një denoncim nga vetë Deraj, që akuzonte Verracakët se e kishin kërcënuar duke kërkuar paratë mbrapsht.

Deraj më pas ka deklaruar se nga shuma 340 mijë euro që u kishte marrë për të shpëtuar të akuzuarit nga dënimi me burg përjetë për masakrën e Velipojës, në fakt u detyrohet 225 mijë euro.

Sakaq, gjatë hetimeve është provuar nga hetuesit kanosja ndaj 30-vjeçares dhe për këtë arsye janë shpallur në kërkim Abedin, Shyqyri dhe Hasan Verracakun (babai dhe dy djemtë), banues në Shkodër.

Ish-punonjësja e Kuvendit dhe Bankës së Shqipërisë ka mashtruar po ashtu një prej mikeshave të saj, duke i marrë shumën 230 mijë euro me premtimin për t’i investuar në bono thesari. Kur mikesha e saj ka kuptuar se Deraj e ka mashtruar, ajo është paraqitur në polici dhe ka denoncuar rastin.

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”,  ndaj të pandehurës me iniciale M. D, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke  premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda,  parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda,  parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit do të  fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:

1. Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

2. Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.

3. Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:

– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.

– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.  

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Shpërndaje