Për 12 orë hiqen 66 patenta dhe vendosen 2668 goba për shkelje të Kodit Rrugor…

Shpërndaje

Policia pas ditës së djeshme, ku ndodhi aksidenti në Vlorë dhe si pasojë humbën jetën 4 anëtarë të familjes, ka ndërmarrë një aksion, ku për 12 orë, në të gjithë vendin ka pezulluar 66 leje drejtimi dhe ka vendosur 2668 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar situatën aktuale të sigurisë rrugore, ka ngritur grupe të posaçme drejtimi, për të monitoruar zbatimin e sanksioneve të reja administrative që kanë hyrë në fuqi me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor, me qëllim forcimin e kontrollit nga autoritetet policore vendore.”– njofton policia.

Gjatë ditës së sotme, në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, makina të pauniformuara, kamera e aparate fotografike, kanë kosntatuar një numër të madh shkeljesh të cituara më lart, konkretisht:

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, matur me radar, dhe 27 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

473 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 397 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 644 masa për shpejtësi mbi normat e lejura, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 194 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 778 masa për parakalime të gabuara dhe 182 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Shpërndaje