Në selinë blu janë orët e fundit të negociatave me aleatët. Një ditë para se Lulzim Basha të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e koalicionit opozitar, abcnews.al ka mësuar emrin e këtij të fundit.
Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se opozita do të kandidojë përballë PS së Edi Ramës, me koalicionin “Shqipëria Fiton”. Mësohet se aleatët do të shkojnë nesër në selinë e Partisë Demokratike për të firmosur.
Ndërkohë që ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare me Fatmir Mediun, mësohet se me këtë të fundit do të diskutohet vetëm çështja e përfaqësimit, sesa kandidatë do të ketë në listën e PD.
Nesër është afati i fundit për Lulzim Bashën që të dorëzojë në KQZ, listën e koalicionit opozitar dhe emrin, që tashmë është zgjedhur.
Të gjithë partitë që do të jenë në koalicion me PD janë regjistruar në KQZ, por emrat e kandidatëve të tyre do të jenë të përfshirë në listën e Partisë Demokratike dhe do të bëhen publike në 5 mars.