Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të nisë verifikimin e thelluar për Tonin Marinaj, kryebashkiakun socialist në Malësinë e Madhe të cilën PD e akuzon se ka fshehur të dhënat në formularin e vetëdeklarimit. Sipas PD-së, në 2016 Prokuroria e Antimafias Italiane ka hetuar Marinaj si drejtues i një organizate kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale.
Vendimi u mor sot nga kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi.
“Kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Zef Marinaj, Kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”
Për këtë arsye, me dokumentin e firmosur nga 16 deputetë të PD-së kërkohej fillimi i menjëhershëm i verifikimit të thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit. Emri i Tonin Marinajt ka dalë në një hetim të prokurorisë së Firences të 5 qershorit 2015. Në përmbajtje të këtij akti janë përshkruar provat mbi të cilat bazohet akuzat, të cilat kryesisht lidhen me përgjime telefonike në numrave dhe pajisjeve që kanë përdorur anëtarët e organizatës kriminale, e dyshuar si e drejtuar nga Tonin Marinaj.
Gjithashtu PD kërkoi referimin e gjetjeve përkatëse, për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), për nisje të hetimeve për dyshimin e arsyeshëm të kryerjes së veprës penale të fshehejes së të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimitari të tjera kriminale.