Pasagjer i ‘siguruar’ me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë! Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale, në pranga 48 vjeçari (EMRI)…

Share your love

Policia ka vënë në pranga 48- vjeçarin Arben Zagolli,  pasi ditën e sotme u kap i armatosur me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë.

Sipas policisë, 48 vjeçari është kapur tek “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, dhe udhëtonte me një taksi nga Pogradeci drejt Lezhës.

Njoftimi i policisë

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaopeacionit “Sundimit të Ligjit”, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë po udhëtonte drejt Lezhës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Destinacioni”.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi  Arben Zagolli.

Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia  i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arben Zagolli, 48 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48  vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Share your love