Twitter ka konfirmuar se është duke punuar në një buton redaktimi që do t’i lejojë përdoruesit të editojnë postimet pasi ato të jenë publikuar.
Shumë përdorues kanë kërkuar prej kohësh një buton redaktimi, ndërsa Twitter tha se do të nisë testimin e idesë në muajt e ardhshëm.
Kjo erdhi pasi Elon Musk pyeti ndjekësit e tij në një sondazh në Twitter nëse e dëshironin këtë funksion.
Megjithatë ekipi i komunikimit në Twitter la të kuptohet përmes një postimi se ideja nuk ishte marrë nga sondazhi i Musk:
“Tani që të gjithë po pyesin… po, ne kemi punuar në një veçori redaktimi që nga viti i kaluar! Jo, nuk e morëm idenë nga një sondazh. Ne po fillojmë testimin brenda @TwitterBlue Labs në muajt e ardhshëm për të mësuar se çfarë funksionon, çfarë jo dhe çfarë është e mundur.”
Me funksionin e redaktimit, përdoruesit mund të jenë në gjendje të rregullojnë gabimet e shtypit ose gabimet e tjera në një tweet, pa humbur asnjë përgjigje, retweet ose pëlqim që kanë marrë.
Jay Sullivan, nënkryetari i kompanisë për produktet e konsumit, tha se kjo kishte qenë veçoria më e kërkuar në Twitter për shumë vite. Megjithatë, ai tha se kompania po eksploronte se si ta ndërtonte funksionin në një mënyrë të sigurt, duke qenë se Edit mund të keqpërdoret për të ndryshuar kontekstin e postimeve të publikuara.