Pas shèmbjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, radhën duket se e ka Qendra Kulturore Historike e Shkodrës.
Ministria e Kulturës ka informuar nëpërmjet një komunikimi zyrtar se ka për qëllim zonifikimin e ri, së bashku me planin për mbrojtjen dhe administrimin e Qendrës Historike, duke e cilësuar një hap cilësor për ruajtjen e vlerave historiko- kulturore, mbrojtjen dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Shkodrës.
Për këtë, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar dokumentacion shtesë që të jetë më transparent ndaj banorëve të saj.
Deklarata e Bashkisë
Përmes komunikimit zyrtar, Ministria e Kulturës ka informuar Bashkinë Shkodër se ka inicuar hartimin projektvendimit për ndryshimin e Qendrës Historike të Shkodrës dhe Zonës së Mbrojtur të saj.
Në projektvendimin e dërguar për konsultim Bashkisë Shkodër, Ministria e Kulturës shprehet që ky vendim, citojmë relacionin e Ministrisë “ka për qëllim zonifikimin e ri, së bashku me planin për mbrojtjen dhe administrimin e Qendrës Historike, duke e cilësuar një hap cilësor për ruajtjen e vlerave historiko- kulturore, mbrojtjen dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Shkodrës”
Në përgjigje të kësaj shkrese, Bashkia Shkodër, ka kërkuar dokumentacion shtesë në lidhje me projektvendimin, duke argumentuar kërkesën se ky informacion është primar dhe i domosdoshëm për vlerësimin teknik. Kemi kërkuar të na vihet në dispozicion dhe të bëhet Publike
Kush ka marrë insitivën dhe parashtrimet në këtë iniciativë, qoftë kjo nga institucionet Publike, private apo individë.
Materialin hartografik dixhital që reflekton ndryshimet përkatëse të propozuara, pasi në hartën e fotokopjuar me shënimet me laps, e bën të pa mundur vlerësimin.
Verifikimin e interesit kulturor të pasurisë apo pasurive që propozohen të shtohen/hiqen nga Zona Historike apo Zona e Mbrojtur, për secilën pasuri/grup pasurish, verifikim ky që duhet të jetë konfirmuar nga specialistet dhe titullari i institucionit të specializuar që ka bërë këtë vlerësim.
Ky informacion, ashtu sikurse procedura ligjore përcakton, është i domosdoshëm në fazën e konsultimit për dhënie të mendimit.
Në momentin që ky dokumentacion do të vihet në dispozicion, Bashkia Shkodër do ta bëjë publik, për një konsultim dhe diskutim gjithpërfshirës dhe me transparencë, në shërbim të interesit publik të qytetit dhe banorëve të saj.