Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri është shprehur të mërkurën se mbajtja e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, do të realizohet sipas Kushtetutës se vendit, e cila përcakton mbajtjen e tyre çdo katër vjet.
I ftuar në emisionin “Në Fokus”, në televizionin TVT me gazetarin Nertil Agalliu, Gjiknuri theksoi se zgjedhjet lokale mund të mbahen vetëm në ato bashki që s’kanë kryetarë, siç është rasti i Shkodrës, Vorës dhe Durrësit.
“Në bashkitë që s’ka kryetar bashkie zgjedhjet duhet të zhvillohen menjëherë. Këtë nuk e mban mazhoranca, por kjo është çështje e Presidentit të Republikës, i cili ka detyrimin të dekretojë datën e zgjedhjeve për këto bashki.
Kështu që unë besoj se nuk është në interesin e mazhorancës të lërë Shkodrën, Vorën dhe Durrësin pa kryetar bashkie. Pra, interesi i mazhorancës është që zgjedhjet të zhvillohen sa më shpejt”, tha ai.
Megjithatë, i pyetur se Presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, Gjiknuri u shpreh se për një fakt të tillë duhet të pyetet Presidenti dhe jo ai, duke shtuar se përsa i përket zgjedhjeve vendore, ato do të mbahen siç thotë populli kur t’u vijë vakti.
“Sa i përket zgjedhjeve vendore, ato do të mbahen siç thotë populli kur t’u vijë vakti, pas katër vjetësh. Pra, do të thotë kur të mbarojë mandati ose siç kanë vendosur nëse Gjykata Kushtetuese do të marrin një vendim për zgjedhjet vendore, megjithatë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese”, tha deputeti socialist.
Sipas tij, është futur një çështje dhe ka një angazhim që Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet edhe për zgjedhjet vendore. “Por, unë s’dua ta paragjykoj këtë vendim. Por në Shqipëri, mandati i kryebashkiakëve është i përcaktuar në Kushtetutë”, tha Gjiknuri.