Një projekt për ndërtimin e një parku eolik është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministria e publikoi këtë aplikim duke dhënë detaje mbi subjektin dhe kapacitetin, si dhe faktin që projekti është pavarur dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “YEL” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 28.5 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bashkinë Vau i Dejës, Qarku Shkodër.
Afati për dërgimin e komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë” thuhet në njoftimin e MIE.
Ky nuk është aplikimi i vetëm për projekte në energjinë eolike bërë gjatë viteve të fundit por numri i tyre është dukshëm më i ulët sesa ai për energjinë fotovolatike.
Nga ERE, deri më tani, janë vetëm dy licenca sa i takon prodhimit të energjisë nga era teksa më herët qeveria shpalli fituesit e ankandeve për impiantet eolikë. Konkretisht në korrik të vitit të shkuar u shpallën fituesit për një kapacitet 222 MW.
Në atë kohë, bashkimi i Total EREN sa dhe KMV sh.p.k dhanë ofertën më të ulët në ankandin e qeverisë sa i takon kapaciteteve për energjinë eolike. Çmimi i ofruar ishte 44.88 euro/MWh për një kapacitet 75MW teksa dy kompani të tjera të shpallura edhe ato fituese ofruan çmime shumë afër tavanit të vendosur nga qeveria.
Konkretisht oferta e dytë më e ulët erdhi nga GurisINSAAT, Morgan Energy dhe BRD Energy sh.p.k për një kapacitet 75 MW dhe një çmim 74 euro/MWh ndërkohë qe oferta e tretë erdhi nga Verbung AG për një kapacitet 72.6 MW dhe një çmim 74.95 euro/MWh./N.Maho/Monitor/