Digjet mjeti i një biznesmeni nga fshati Juban në njësinë Guri i Zi në Shkodër, ndërsa ka dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ngjarja ndodhi gjatë mëngjesit të ditës së sotme.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se shtetasi Artan Luka, 33 vjeç, banues në Juban të Gurit të Zi kishte çuar makinën e tij tip ‘Porch Panamera’ në një servis aty në fshat rreth 200 metër larg banesës. Papritur rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm dyshohet se një person është afruar nga pjesa e përparme e mjetit duke e djegur në mënyrë të qëllimshme. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruar për BalkanWeb, disa metra më tutje në momentin që mjeti i biznesmenit Luka merr flakë, duket një mjet tjetër që lëviz dhe që dyshohet se ka marrë autorin që i ka vendosur flakën duke u larguar më pas në drejtim të paditur. Shtetasi Artan Luka është pronar i një bar/restoranti eventesh që ndodhet në fshatin Juban të cilin e ka blerë një vit më parë.