Pamje nga aksioni i sekuestrimit të pasurive të Altin Hajrit/ OFL: I kalojnë në pronësi Ministrisë së Brendshme

Share your love

3 shkurt, nis OFL

Prej ditës së sotme ka filluar Operacioni Forca e Ligjit, me veprime konkrete në terren.

Ky operacion ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.

Operacioni Forca e Ligjit do të zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar.

Në këtë kuadër, sot, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.

Ky shtetas është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për procedimin penal nr. 475, viti 2020, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit J. P.

Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special.

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Dosja pasurore e shtetasit Altin Hajri do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri.

Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.

Share your love