Në një kohë kur i gjithë vendi po përballet me temperatura të larta, qytetarët nuk kanë ujë në cezmat e tyre duke e bërë më të vështirë përballimin e të nxehtit. Ky problem ka të paktën dy dekada në ish-Zonën Industriale në Shkodër, që vazhdon të mos marrë zgjidhje.
Sigurimi i ujit të pijshëm është kthyer në sfidë për familjet në këtë zonë. Banorët, të cilët nuk e kanë mundësinë për ta blerë, shprehen se detyrohen ta mbushin ujin pranë kishës, ndërsa për t’u larë ato kanë ndërtuar puse .
Pavarësisht premtimeve, banorët thonë se asgjë nuk ka ndryshuar, ndërkohë ato tregojnë se, megjithëse uji mungon, faturat vijnë çdo muaj. Megjithëse u premtua se punimet për ndëtimin e një ujësjellësi që do të furnizonte me ujë të pijshëm këtë zonë do fillojnë në mars të këtij viti, deri tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje.