Pa maska mbrojtëse, 984 qytetarë të gjobitur në 24 orë…

Përkeqësimi i situatës së pandemisë në vend ka bërë që policia të intensifikojë kontrollet për respektimin e masave anti-COVID. Autoritetet bëjnë me dije janë gjobitur 984 qytetarë, të cilët u konstatuan pa maskat mbrojtëse.

Efektivët e policisë kanë ndëshkuar me gjobë, 155 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Administratori i këtij subjekti është gjobitur me 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 12 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.