OST kërkoi rritje të tarifës në 1.2 lekë për 2020, zbardhet vendimi i ERE

Shpërndaje

Operatori i Transmetimit të Energjisë (OST) kërkoi pranë Entit Rregullator të Energjisë(ERE) që të rishikonte tarifën e transmetimit duke e çuar atë në  1.2 lekë për çdo kilovat/orë energji nga 0.75 lekë që është sot. Por në një analizë që ka bërë vetë Enti ka argumentuar se së pari OST ka tejkaluar afatet që i lejon ligji për të bërë këtë kërkesë. “Aplikimi i paraqitur nga shoqëria OST sh.a. është në tejkalim të afatit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 21 të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin nr. 96, datë 17.06.2016, të Bordit të ERE-s dhe është konstatuar me mangësi në të dhënat e paraqitura nga shoqëria OST sh.a., në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 “Rregullat e përgjithshme për paraqitjen e aplikimeve për përcaktimin/ rishikimin e tarifave dhe çmimeve të shërbimeve të energjisë elektrike dhe/apo të gazit natyror nga shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë në Sektorin e Energjisë”, të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin Nr. 96, datë 17.06.2016, të Bordit të ERE-s”  nënvizon ERE.

Së dyti rregullatori thekson se ka dy aspekte që merren parasysh i pari aplikimi i paraqitur, nuk ka një analizë të detajuar të (CAPEX & OPEX) të 10-muajve tashmë të mbyllur të vitit 2019, si dhe parashikimin e pritshëm për pjesën e mbetur të vitit 2019, konform listës së llogarive për qëllime të rregullimit për aktivitetin e transmetimit të energjisë elektrike. I dyti nuk është paraqitur plan i rishikuar i investimeve për vitin 2020. Vlera e investimeve të reja për vitin 2020 të paraqitura në aplikimin për tarifë nuk përputhet me planin e zhvillimit të paraqitur nga shoqëria për përudhen 2015- 2025.

Duke pasur parasysh këtë situatë ERE ka vendosur që të lerë në fuqi tarifën 0.75 lekë që sot OST aplikon për transmetimin e energjisë edhe për vitin 2020.

“Bordi i ERE-s, Vendosi: 1. Mos fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të shoqërisë OST sh.a. për miratimin e tarifës së shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2020 prej 1.2 lekë/kWh. 2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 266, datë 21.12.2018, të Bordit të ERE, në lidhje me tarifën e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2020” thuhet në vendim.

Shpërndaje