OSSH, me dorë të hekurt, procedon në polici 3 pronarë hotelesh resort pasi vidhnin energji elektrike…

Shpërndaje

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), vijon luftën pa asnjë kompromis kundër subjekteve që abuzojnë me energjinë elektrike.
Dje, në orët e mbrëmjes, strukturat e posaçme të OSSH Shkodër, gjatë kontrolleve kanë zbuluar dhe proceduar në polici dy subjekte me aktivitet “hotel resort” në qendër të Shëngjinit.
Subjektet private vidhnin energji elektrike duke u lidhur jashtë sistemit të matjes, në kundërshtim me ligjin dhe kodin penal.

Verifikimet janë kryer në prezencë të oficerëve të policisë gjyqësore dhe forcave të rendit, ku më pas u morën masat e nevojshme të shënuara në procesverbal.

Më herët, një tjetër strukturë e OSSH, Drejtoria e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), konstatoi vjedhje të energjisë elektrike (ndërhyrje në matës) tek një subjekt hotel në plazhin e Golemit, pranë Durrësit. Menjëherë, pas konstatimit të abuzimit, u njoftuan strukturat e posaçme ligjzbatuese, duke proceduar rastin për veprime të mëtejshme.
OSSH u bën apel konsumatorëve, sidomos atye privat, se do të vazhdojë, pa asnjë kompromis, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, me qëllim formalizimin dhe vendosjen e plotë të shtetit ligjor në këtë sektor.

Gjithashtu, OSSH i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë elektrike dhe të denoncojnë çdo rast në numrin e Cel:
👉069 414 1001 whatsapp/viber.

Shpërndaje