Nuk ndodh përherë të lexosh një raport aq kritik sa draft opinioni i Komisionit të Venecias “Për emërimin e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, rezultat i dy kërkesave të veçanta, një nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe një nga Presidenti Ilir Meta.
Shtysa për opinionin ishte procedura e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila çoi në një luftë të zgjatur ndërmjet Presidentit Meta nga njëra anë dhe Kuvendit të sunduar nga shumica socialiste e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të drejtuar nga Ardian Dvorani (KED), nga ana tjetër.
Komisioni i Venecias jo vetëm i jep plotësisht të drejtë Presidentit Meta në këtë përplasje, por kritikon edhe zbatimin e deri tanishëm të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti veprimet e KED-it.
Reforma në drejtësi si kërcënim për të drejtat e njeriut
Në lidhje me vetingun, Komisioni i Venecias në thelb deklaron se një pjesë e procesit duket se është e parregulluar me ligj, duke nënkuptuar një shkelje të parimeve të gjykimit të drejtë, që është një e drejtë themelore e njeriut.
Në pikën 83, opinioni shprehet:
“Në Tiranë, delegacioni [i Komisionit të Venecias] mësoi se nganjëherë u ndeshën vështirësi kur duhej të jepeshin sqarime në lidhje me pasurinë e mëparshme të bashkëshortëve të subjekteve. Gjithashtu, u pohua se ka patur një zbatim shumë të ngurtë të një afati të shkurtër (dy javë), pavarësisht se në disa raste dokumentet e certifikuara duhej të siguroheshin nga jashtë vendit. Sipas Komisionit të BE-së, përjashtimet nga ky rregull janë dhënë me kërkese të subjekteve në “shumicën e rasteve”, Komisioni i Venecias nuk e di se mbi çfarë baze ligjore është bërë kjo gjë. Për më tepër, u duk se ishte e paqartë se mbi bazën e cilave kritere disa vendime të KPK-së u apeluan në KPA nga Komisioneri Publik dhe të tjerat jo.”
Komisioni i Venecias më tej, në pikën 88, sjell prova për shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut si rezultat i vendeve bosh në Gjykatën e Lartë:
“Komisioni dëshiron të theksojë më tej se mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Rastet që vinë nga gjykatat e ulta nuk mund të vendosen dhe Shqipëria shkel sistematikisht të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Në mungesë të ndonjë zgjidhjeje tjetër, kjo ka të ngjarë që të çojë në situatën kur shumë raste do të përfundojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”/exitnews/