Nga Nertil Jole
Gara e Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore është pa dyshim me interesantja. Vazhdimi i historikut të pozicionimit politik të zonës është në diskutim, kryesisht nga gjendja shumë e trazuar brenda opozitës dhe momentit historik për ndryshim. Por jo vetëm. Në sfidën për ndryshim në këto zgjedhje po shfaq me dinjitet portretin e saj një zonjë fisnike, Majlinda Angoni. Partia Socialiste ka qëlluar në shenjë me kandidimin e saj për qytetaren e parë të Shkodrës.
Të bie menjëherë në sy një zonjë shkodrane plot qytetari, që gëzon respekt të padiskutueshëm nga të gjithë bashkeqytetarët e saj, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe pavarësisht nëse e kanë njohur apo jo personalisht në të shkuarën.
Ajo vetë po u ofrohet shkodranëve me grintën, mirësinë, seriozitetin dhe zotimin e saj që është në fakt edhe prezantimi më i natyrshëm që një kandidat mund të bëjë, pa patur domosdoshmërisht nevojën e një prezantimi të merituar të figurës edhe nga aktorë të tjerë.
Atë e njohin dhe po e njohin edhe më nga afër vetë qytetarët. Fjala, karizma, oferta qytetare, kurajoja, thjeshtësia dhe argumenti i saj, janë dukshëm themeli i besimit që ajo po transmeton jo vetëm te mbështetësit dhe simpatizantët, por te të gjithë pa përjashtim. Ajo ia ka dalë që në vetëm 2-3 javë të përcjellë mesazhe të vërteta ndryshimi e bashkëpunimi. Diçka që Shkodrës i ka munguar për shumë kohë të gjatë dhe diçka që kundërshtarët e saj në këtë garë e kanë patur thuajse të pamundur.
Majlinda është duke zhvilluar një fushatë model që mbështetet te fuqia e saj individuale dhe e të gjithë faktorëve progresistë lokalë e nga qeverisja qëndrore që e mbështesin atë pa rezervë, në emër të interesit parësor që ka lidhje vetëm me të ardhmen dhe zhvillimin e Shkodrës.
Takimet me fokus grupet, prezantimi i platformës dhe vizionit të saj, po shton dita ditës frymën e entuziazmit për një ndryshim të shumëpritur. Duke shmangur protagonizmin politik tradicional, Majlinda në fakt e ka filluar suksesin e saj duke e materializuar me besimin e bashkëqytetarëve jo nëpërmjet arrogancës apo sinqeritetit artificial, por nëpërmjet origjinalitetit dhe vërtetësisë që e karakterizon.
Prandaj Shkodra është duke fituar nga suksesi i saj.