Opinion nga Xhevdet Zekaj/ Vllaznia asht dashni, asht sinonim i së bukurës në futboll…

Shpërndaje

Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ

Vllaznia e nisi keq sezonin e ri futbollistik, me atë humbje dëshpëruese ndaj debutuesve shijakas. Shumë nxituan me kritika ndaj saj, por u gabuan. Krenaria e shkodranëve diti të reagonte, duke fituar dy ndeshjet vijuese radhazi. Dhe cfarë fitoresh; ndaj dy pretendentëve si Kukësi dhe Tirana. Nëse ndaj verilindorëve të Skënder Gegës u shpërblye në “frymën e fundit”, kur gjeti golin e fitores, këtë të premte ishte bindëse në cdo drejtim. Të kalosh në epërsinë e dyfishtë ndaj Tiranës kampione në fuqi, në fushën e kësaj të fundit, tregon potencial, vlera të pakundërshtueshme.

Ngjyrat kuqeblu ishin dominuese në “Selman Stermasi” jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në tribuna. Tifozët shkodranë janë kaq pasionantë, kaq entuziastë sa duhen marrë shembull. Model në përkrahje të skuadrës së tyre të zemrës, por edhe për kulturën që dëshmojnë në stadium, tifozët e Vllaznisë janë vërtet “qershia mbi tortë” e kampionatit shqiptar. Nëse skuadra e Mirel Josës është mishërim i futbollit të bukur, të aksioneve të rrjedhshme dhe lojës sulmuese, lojtari i saj i 12-të të bën për vete.

Një duet vërtet rrezatues i së mirës në futbollin shqiptar, që tashmë ndihmohet edhe nga gjykime të përgjegjshme. Edhe pse nxori dy lojtarë me kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër, duhet pranuar se gjykimi i Enea Jorgjit ishte në lartësinë e kërkuar për klasiken e futbollit shqiptar. Tirana reagoi me dinjitet, ia doli ta ngushtonte rezultatin në 2-1 dhe mund të kishte bërë atë që bëri Vllaznia ndaj Kukësit, duke shënuar (dhe barazuar) në frymën e fundit. Vetëm shtylla, me portierin e skuadrës shkodrane të mposhtur, e shpëtoi Vllazninë, e cila duhet përgëzuar, sepse e meritoi fitoren.

Natyrisht, si kudo ka vend për përmirësime, edhe te Vllaznia, por një trinitet si Josa-Sinani-Miloti janë strategët e duhur për t’iu qëndruar ambicieve të presidentit Alban Xhaferi deri në fund: fitimin e titullit kampion. Dy teste vërtet të forta folën në emër të tyre, teksa “kurban” u bënë Tirana kampione dhe Kukësi aspirues për kurorën e bardhebluve.

Shpërndaje