Opinion/ Kush matë dhe i llogaritë prurjet e lumenjve ?

Shpërndaje

Nga Musa Kurtulaj:

Kush mate dhe i llogarite prurjet e lumenjve ?

“Kur mbytemi ne një gote ujë para se te na përmbytin lumenjtë !”

Qe nga data 8 janar, po ballafaqohemi me përmbytje nga Shkodra dhe deri ne Gjirokastër ! Gjate gjithë këtyre ditëve kemi dëgjuar shifra për nivele te hidrocentraleve, për nivele te lumenjve, për nivele te liqeneve, për nivele te përrenjve, për nivele te pellgjeve te ujit…..! E çfarë nuk kemi dëgjuar, ndërkohë për sasi te prurjeve ujore te lumenjve apo përrenjve, nuk kemi dëgjuar te flitet !Me përjashtim te KESH-it, askush, absolutisht askush, nuk ka folur për sasinë e prurjeve ujore ! Po e mjaftojnë vetëm te dhënat e KESH-it ? Nuk mjaftojnë, përkundrazi ato pasqyrojnë vetëm një pjese te prurjeve ujore te teresise se lumenjve tanë ! Konkretisht, KESH-i çdo dite ka raportuar shkarkimet ujore nga kaskada e Drinit ne Vau Dejës, si nga turbinat qe prodhojnë energjinë elektrike ashtu dhe nga tuneli i Zadejes qe shkarkon ujin e tepërt apo edhe portat mbi dige. Pra KESH-i, pavarësisht sa te besueshme janë te dhënat e tij ( deri sa te kemi te dhëna te tjera, nuk mund ti vene ne dyshim), ka raportuar mesatarisht 500 metër kube ujë shkarkime nga tuneli i Zadejes dhe 410 metër kube ujë nga turbinat (prodhim i energjisë elektrike). Se bashku këto bëjnë 910 metër kub ujë ne sekondë qe del nga hidrocentrali i Vau Dejës ! Kjo është e vetmja shifër zyrtare e sasisë se prurjeve ujore gjate gjithë këtyre ditëve ! Me këtë sasi prurjesh ujore, kurrë nuk janë shkaktuar dhe nuk shkaktohen përmbytje as ne Shkoder dhe as ne Nënshkodër ! Përmbytjet shkaktohen kur tek Ura e Bahçallekut mbërrijnë mbi 1800 metër kub ujë ne sekondë, e dhëne kjo qe mbahet mend nga specialistet e dikurshëm, pasi sot mund te flitet me tahminë ose me “vesh” sepse askush nuk e mate dhe as nuk e llogarite ne këtë pike sasinë e prurjeve ujore ! Pra, pyetjes sa meterkub ujë mbërrijnë tek Ura e Bahçallekut, asnjë institucion nuk merr përsipër ti përgjigjet ! Po kështu as sa meterkub ujë mbërrijnë tek Ura e Bunës, asnjë institucion nuk merr përsipër ti përgjigjet ! Ne këto raste te dhënat i japin vetëm sipas niveli te hidrometrave edhe ne Bahçallek, edhe ne tek Ura e Bunës, edhe ne Dajç ! Këto te dhëna jep Bashkia, këto te dhëna jep Prefektura dhe këto te dhëna jep Qarku ! Pra nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë te dhënë për sasinë e prurjeve ujore te lumit Valbona qe përfundon ne Drin, te lumit te Shalës qe përfundon ne Drin, te lumit Gjadër qe përfundon ne Drin, te përroit te Gomsiqes qe përfundon ne Drin, te lumit te Kirit qe përfundon ne Drin ! Nuk ka dhe nuk ka asnjë e dhënë për sasinë e prurjeve ujore te lumit Buna qe buron nga Liqeni i Shkodrës ne te cilin shkarkojnë ujin përroi i Vrakes, përroi i Rrjollit, përroi i Thate (brenda territorit shqiptar) dhe Lumi i Cemit e lumi Moraça, përtej kufirit qe administrohen nga Mali i Zi. Nuk po perëndim këtu edhe dy përrenj ne zonën Muriqan – Pentar, qe burojnë nga fshatrat e Ulqinit dhe e shkarkojnë ujin po ne lumin Buna. Pra pas bashkimit te ujerave te lumenjve Buna dhe Drini tek hapësira ujore përballe ish-fabrikës se çimentos Shkoder, Buna “marshon e vetme” drejte Adriatikut ne gjatësinë 44 km dhe askush nuk e din se sa metër kub ujë ne sekondë ka ! Flitet veç me hamendje, here thuhet 3000 meterkub ujë në sekond, here 3500 meterkub, here 4000 meterkub, por zyrtarisht asnjë institucion nuk e merre përsipër këtë matje dhe llogaritje ! Po ashtu thuhet se ne shkalle te Belajt (Pentar) nuk mund te tërheqë Buna me shume se 1800 – 2000 metër kub ujë ne sekondë për ti shkarkuar ne Adriatik, ndaj dhe pjesa tjetër, qe është me shume se gjysma, shpërndahet fushave e përmbytë Nënshkodrën ! Po ama flitet bazuar ne kujtesën e specialisteve te dikurshëm, ndërsa zyrtarisht nuk ka asnje konfirmim as për këtë ! Te gjithë flasin për nivelet e lumenjve, por askush (me përjashtim te KESH-it) nuk flet për sasinë e prurjeve kur kjo është me e rëndësishmja, me treguesja dhe me kuptimplota për te pasur një pasqyrim tekniko – shkencor si për shkaqet e përmbytjes, burimet e saj, kapacitetin evadues te lumenjve e përrenjve, kapacitetin e rrjetit te kullimit e kështu me radhe ! Dhe jo vetëm kaq, por edhe për te ditur me vone se ku duhet ndërhyrë me investime për te parandaluar sa te jete e mundur përsëritjen e përmbytjeve, është shume e rëndësishme te maten, llogariten dhe evidentohen prurjet ujore ! Mirëpo, për këtë deri tani nuk del asnjë institucion qe ta ketë detyre e përgjegjësi ! Pyetjen kush i mate dhe i llogarite prurjet ujore te lumenjve, e kam bere këto dite tek zyrtare te Prefekturës Shkoder, ne Qark, ne Bashki, ne Bordin Rajonal te Kullimit Lezhe, ne Agjencinë Rajonale te Mjedisit Lezhe dhe ne Basenin Drin – Bune ne Shkoder, por nga te gjitha këto institucione përgjigjja ka qene e njëjtë: nuk është detyra jone te matim, te llogarisim dhe te evidentojmë sasinë e prurjeve ujore te lumenjve ! Kemi pyetur edhe ne hidrocentralin Vau Dejës, ku na kane sqaruar se detyra e administratës se tyre teknike është vetëm te matin prurjet ujore ne liqenin e këtij hidrocentrali dhe daljen nga turbinat e tunelit apo portave te shkarkimit ! Kam bere edhe një telefonate konfidenciale me një specialist-bashkëpunëtor te IGJEUM Tirane, por edhe nga ai mora përgjigje se ne dijeninë e tij as ky institucion nuk merret me llogaritjen e matjes dhe sasisë se prurjeve ujore te lumenjve ! U lodha pas gjithë këtij interesimi, dhe këtu vendosa ta ndërpres “kërkimin” ! Fatkeqësisht, prej shume e shume viteve, përmbytjet janë trajtuar dhe trajtohen me tahminë ose me “vesh” ! Prandaj dhe nuk duhet te çuditemi kur “mbytemi ne një gote ujë para se te na përmbytin lumenjtë”, pasi i trajtimi kësaj problematike tejet te rëndësishme ka qene dhe vazhdon te jete, fatkeqësisht, shume larg kërkesave shkencore !

Shpërndaje