Nga Lutfi Dervishi
Agresioni ndaj tv publik!
Televizioni publik nuk ka shumë miq, aq më tepër në Shqipëri! Ka shumë armiq. E sulmon politika nga të dy krahët dhe e sulmojnë operatorët privatë për interesa private! Krejt e kuptueshme!
Për shkak të një angazhimi jashtë vendit nuk munda të ndjek mbrëmë një emision të posaçëm për televizionin publik me shkas arrestimin e ish drejtorit nga SPAK!
Edhe pse në emision është avokati dhe sqaron akuzën, edhe pse Carlo Bollino me cilësinë e njeriut që ka ndërtuar jo një, por dy televizione sqaron çështjen, prapë në bankën e akuzës edhe po nuk qe Thoma Gëllçi është RTSH!
Duhet të jesh i/e verbër ose të të ketë mbetur ora më 2015 të mos shohësh se çfarë ka ndodhur me transmetuesin publik gjatë 5 viteve të fundit!
Në çdo debat miqësor apo armiqësor, në studio televizive apo në biseda informale të gjithë atyre që me mburrje dhe ngazëllim më kanë thënë: nuk e shohim televizionin publik u kam bërë një pyetje: Dakord! Po cilin televizion/program shikoni?! Për këtë pyetje nuk kam marrë përgjigje! Ndoshta bashkëbiseduesve të mi u ka ardhur turp të thonë se çfarë programi shohin dhe këtë e quaj shumë pozitive! Kur ngurron të thuash të vërtetën, do të thotë se nuk ndihesh mirë me të vërtetën tënde!
Së pari, mbaroi digjitalizimi! Kjo tani jo vetëm duket e lehtë, por merret si e mirëqenë! Kredia prej 26 milionë eurosh paguhet nga RTSH dhe nuk paguhet vetëm kredia me interesat, por paguhet në miliona euro edhe mirëmbajtja e rrjetit!
Kur flet si marinari që në mungesë të dylbive vë dorën në ballë për të parë bregun e detit sigurisht që jo vetëm do të gabosh, por do të bësh edhe gafa!
Të ardhurat dhe shpenzimet e RTSH janë publike dhe kushdo mund t’i marrë pa u lodhur dhe pa folur qesim duke kërkuar raportin vjetor në faqen e web të RTSH, apo në raportin vjetor që dorëzohet në Kuvend – dhe çdo qytetar bazuar në ligjin e informimit publik mund të marrë çdo dokument që kërkon edhe thjesht për kuriozitet të sëmurë!
Para vitit 2016 – RTSH ka patur edhe më shumë fonde! Dalja me paketë kanalesh – sigurisht që ka prekur interesa dhe nuk janë të paktë ata që pyesin: çfarë na duhen ne këto kanale? Si mund të ketë Televizioni Publik kaq shumë kanale?! Pse mos të mbajmë një kanal e shumta dy, ja qameti 3 kanale?!
Po për shembull dikush mund të pyesë: çfarë na duhet në “RTSH shkolla”, që për dy vite plotësoi boshllëkun e mbylljes së shkollave në Shqipëri?! Për këtë pyetje unë nuk kam përgjigje- ndoshta për faktin se tv private nxituan t’a plotësojnë boshllëkun dhe e bënë më mirë punën?!
Një tjetër mund të pyes pse na duhet një kanal i dedikuar sporti për të parë pa pagesë kampionatin shqiptar, kampionatin europian, botëror apo dhjetëra ekskluzivitet sportive?! Edhe për këtë pyetje nuk kam përgjigje se ndoshta është mirë të paguajmë platformat private? Nuk të shijon gjëja pa pagesë!
A duhet që RTSH të ketë një kanal të dedikuar për minoritetet? Ndoshta jo sepse me sa shohim çdo ditë minoritetet janë një shqetësim i madh për çdo operator privat! Kjo është evidente!
Po kanal me lajme 24 orë pse t’a ketë RTSH? Kemi nja 15 të tilla? Ngjarjet e mëdha që kanë kaluar – tërmeti, pandemia, dalja opozitës nga sistemi, pasqyrimi i protestave të përditshme ku do të pasqyroheshin?
Po “RTSH Kuvend” a duhet të ketë? Apo sa herë mblidhet Kuvendi më mirën t’a shkatërrojmë programacionin e RTSH1 dhe e kemi më të lehtë?!
Po kanal të dedikuar për shqiptarët jashtë a duhet të ketë? Une them jo- po ja që është detyrim ligjor!
Po pse duhet të ketë transmetuesi publik kanal të dedikuar për muzikën? Kanal të dedikuar për filmin shqiptar? Kanal të dedikuar për filmin e huaj? Pse duhet të jenë kur fare mirë mund t’i shohësh me pagesë në platformat private? Si mund të humbësh kënaqësinë e kapjes së ndonjë oferte dhe të shohësh programe pa pagesë?!
Pse xhanëm duhet të ketë një apo dy kanale të dedikuar për fëmije kur sot femijëve mjaft t’u lësh celularin në dorë dhe jo vetëm informohen dhe argëtohen, por edhe edukohen?! Sot prindërit për fëmijët paguajnë kudo që shkojnë, pse të mos paguajnë për t’a edhe në shtëpi dhe të shohin kanale për fëmijë te platformat private?!
Çfarë do me thënë të kesh kanal të dedikuar “Agro” për një vend si Shqipëria ku vetëm 50% e popullsisë jeton në fshat?! Ku vetëm 220 mijë fermerë kane NIPT, ku bujqësia na jep vetëm 20% të GDP-se? Me të vërtet për çfarë duhet, kur operatorët privatë shqetësimin më të madh kanë fermerët dhe sidomos nevojat dhe hallet e tyre?!
Sot flitet shumë për nevojën e gazetarisë lokale – pse duhet të investonte RTSH dhe të bënte studio lokale në Kukës, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, kur fare mirë gazetarinë lokale mund t’a bëjmë nga Tirana?!
Pse duhet që nga 3 kanale Radio të kemi 12-te?
Pse duhet investuar në aplikacionin “RTSH Tani” apo pak halle kanë shqiptarët aty ku janë po i “detyrojme” të kenë akses kudo që ndodhen dhe të shohin edhe hallet e Shqipërisë?!
Pse duhet të investohen për web -in e RTSH pasi verdikti është dhënë: nuk e sheh njeri?! Dhe është shumë interesant se këtë “nuk e sheh njeri” e dëgjoj nga njerëz që vetëm me njerëzit nuk kanë lidhje!
Pse nisën të vijnë donatorë të huaj për të prodhuar programe kritike për RTSH-në?! Kaq naivë të jenë bërë njerëzit që japin para?! Apo ndoshta vijnë ngaqë RTSH nuk shantazhon njeri, nuk vë gjoba dhe nuk ka patur axhenda personale?!
Pse RTSH është treguar kaq e paaftë dhe nuk ka bërë dot një program politik, ku të ftuarit të rrihen, të ulerasin dhe të bëhet nami me audiencën? Është thjesht paaftësi për t’u përshtatur me kohën apo ka diçka që duhet hetuar me imtësi?!
RTSH paguhet me taksat tona?! Kur e thonë njerëzit e paditur është ok, kur e thonë gazetarët është për të qeshur! Ka dallim mes taksës dhe tarifës! Çdo familje shqiptare paguan 100 lekë në muaj tarifë për RTSH-në! E ka paguar gjithmonë! Është tarifa më e ulët në kontinent! Dhe rritja e tarifës do të rriste pavarësinë, cilësinë dhe përgjegjshmërinë! Kaq kanë paguar shqiptarët edhe në 2015! Por oferta e 2021 me 2015 është si nata me ditën!
Në fund edhe njëherë për çështje Gëllçi: pra bëhet fjalë për një tender me vlerën 700 mijë euro! Tender, investim dhe jo abuzim fjalë që e përtypin disa si çamçakëzin që sapo fusin në gojë- për të blerë pajisje për kanalin e dedikuar Agro- i cili do të mbështetej nga ministria Bujqësisë dhe donatorë të tjerë! Kjo gjë nuk ndodhi. Por pajisjet janë në punë, cilësia e prodhimit dhe transmetimit janë HD. Po programet? Ka më shumë vlerë, 1000 herë më shumë programi “Hapësirë e Blertë” që bëhet prej vitesh nga gazetari Marash Mirashi se çdo llomotije që të kujton zhurmën e gjuetarëve kur humbin nëpër kallamishte!
A ka probleme RTSH? Pa fund! Po a keni parë raportime më të mira se të gazetarëve të RTSH në rastet e fatkeqësive, tërmet, pandemi, zgjedhje? (Ndoshta renditja duhet nisë nga fundi)
RTSH sot duhet krahasuar me çfarë ishte 5 vjet më parë dhe jo me BBC-ne! Sigurisht që duhen programe më të mira – mund të ishin shpenzuar që në fillim më shumë fonde për programe! Por programet e mira kanë nevojë për pajisje të mira dhe transmetim cilësor! Si cilësia prodhimit dhe transmetimit kanë qenë jo përtokë, por në gropë!
Problemet nuk kanë qenë dhe asnjëherë nuk janë të lehta!
Problemi nepotizmit, paftësisë në RTSH janë evidentuar dhe bërë publik në media që nga viti 1980- shumë të diskutueshme janë rezultatet në këtë drejtim, por në RTSH nuk ka vetëm njolla të zeza!
Nga një institucion që ishte kamzhik i radhës për opozitën e radhës, RTSH u bë institucion i balancuar politikisht! Opozita jo vetëm që nuk u fshikullua si njëherë e një kohë, por ka patur të gjithë hapësirën e madje është lutur të jetë në ekranin publik!
Në çdo vend të rajonit në protestat e opozitës zemërimi është derdhur tek tv shteterore- këtu – sa për kujtesë, janë sulmuar operatorë privatë të perceptuar nga njerëzit/protestuesit e zemëruar si qilim i kuq i qeverisë!
Nga natyra ata që me njohin e dinë se më shumë jam cinik dhe shpesh pesimist!
Pas 5 vitesh, pas 5 muajve, pas 5 javësh apo pas 5 ditësh do të shohim nëse RTSH do të bëj programe edhe më të mira, do të konsolidojë çfarë ka arritur dhe do të kapë maja të reja? Apo do t’i kthehet avazit të vjetër “Selanik e tatëpjetë siç ka qenë do të jetë”! Puna është publike dhe gjykimi do të jetë publik!
Sot?
Dy veprime janë spaktakolare: largimi drejtorit dhe moszgjedhja prej 5 muajsh e drejtorit! Ndoshta Këshilli Drejtues po kërkon dhe nuk po gjen ende një njeri që të ketë platformën dhe të arrijë të bëjë në 5 vjet, aq sa bëri njeriu që sot është i arrestuar me akuzën “shpërdorim detyre” se pajisjet e blera kanë mbërritur 16 ditë me vonesë!
Këto janë shenja që tregojnë se ndoshta bëjmë mirë të nisim dhe të mbajmë mend se çfarë ishte këto vite RTSH – se mund të mos e kemi më!
Por për momentin: t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit!