Operacioni policor i koduar “Autostrada”, arrestohen 3 përsona…

Shpërndaje

Tiranë/ Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Autostrada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Goditet një grup i strukturuar kriminal, anëtarët e të cilit vidhnin kasaforta në biznese të ndryshme në zonën e autostradës.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë, si dhe sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, mjete të cilat autorët i përdornin për kryerjen e vjedhjeve dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Zbardhen dhe dokumentohen 7 raste të vjedhjeve të kasafortave në biznese, të cilat dyshohen se janë kryer nga këta shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Autostrada”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

  • I. (M). B., 47 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”; E. T. (B)., 39 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” dhe E. M. (M)., 27 vjeç.

Këta 3 shtetas, janë arrestuar në kushtet e flagrancës gjatë kohës që ishin duke kryer një vjedhje në një subjekt tregtar në autostradë.

Në vijim të veprimeve, u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit K. A. (M)., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”; A. K., 29 vjeç; F. D. (P.) 25 vjeç, si dhe u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi Z. T., 58 vjeç dhe shtetasja L. Sh., 38 vjeçe.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 7 rasteve të vjedhjeve dhe tentativa vjedhjesh të kasafortave në biznese, konkretisht:

  • Më datë 06.06.2021, në Kodër Mëzes, në një firmë, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën me një shumë parash;
  • Më datë 12.08.2021, në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë vjedhur disa pajisje topografike;
  • Më datë 18.08.2021, në një qendër tregtare, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e magazinës ku kanë marrë një shumë parash;
  • Më datë 30.08.2021, në një firmë dyshohet se kanë vjedhur një shume parash;
  • Më datë 17.03.2021, në rrugën “Vangjel Noti”, dyshohet se kanë vjedhur disa medikamente mjekësore në një firmë;
  • Më datë 26.11.2021, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin kasafortën në një firmë.

Ndërkohë, nga hetimet e kryera, rezulton se njëri nga këta shtetas, konkretisht shtetasi K. A. (M)., në bashkëpunim me shtetas të tjerë të paidentifikuar, në një banesë në zonën e Gjirit të Lalësit, dyshohet se ka vjedhur një sasi parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishekë luftarakë, mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 automjet dhe 8 aparate celularë.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shpërndaje