Shkodër/ Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjysmëfinalja”, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë evidentuar dhe goditur 11 raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Vihen në pranga 5 shtetas dhe procedohen penalisht 6 të tjerë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Komisariateve në vartësi të saj, në zbatim të planit të masave për evidentimin e personave që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, janë ushtruar kontrolle në ambiente e lokale të ndryshme, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, i shtetasve:
N. P., 53 vjeç, M. F., 34 vjeç, S. P., 33 vjeç, I. T. 51 vjeç dhe A. D. 31 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. L., 21 vjeç dhe T. C., 66 vjeç, banues në Malësi të Madhe; L. K., 57 vjeç, N. D., 64 vjeç, D. D., 23 vjeç, E. N., 30 vjeç banues në Shkodër.
Operacioni vijon për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.