Masat kufizuese në vendin tonë nuk do të ndryshojnë përgjatë periudhës së festave. Ndërkohë që natën e ndërrimit të viteve nuk do të ketë orë policore. Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se në 31 Dhjetor do të lejohet lëvizja e familjarëve që duan të festojnë pranë të afërmve të tyre duke respektuar masat e vendosura për shmangien e grumbullimeve.
“Ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktiviteteve por me lejimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë gjithë asaj nate. Duke menduar që njerëzit do duan të jenë bashkë edhe me familjet e vogla. Fëmijët mund të shkojnë të takojnë prindërit. Nuk ka lidhje me organizimin. Do të jenë të lejuara me të gjitha përcaktimet që janë bërë me kohë. Ora policore nuk ka lidhje me këtë. Do vazhdojmë me të njëjtat masa”, tha Rakacolli.
Ajo u shpreh se është vlerësuar që niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për të kontrolluar këtë situatë. Rakacolli theksoi se me rëndësi është zbatimi me rigorozitet i masave të përcaktuara, duke shtuar se janë të ndërgjegjshëm që ato nuk po respektohen.
Zv/ministrja rikujtoi kushtin për vaksinimin e detyrueshëm që hyn në fuqi në datë 4 Janar për administratën publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare.
“Të nderuar qytetarë, analiza sugjeron që niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për ta kontrolluar këtë situatë. Për momentin do të mbeten në fuqi masat që kemi edhe sot. Situata epidemiologjike në botë dhe prania e variantit të ri, bën të domosdoshëm respektimin e përgjegjshëm të këtyre masave që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që nuk po respektohen.
Studiuesit në mbarë botën po bëjnë thirrje për përshpejtim të procesit të vaksinimit. Po bëhet e qartë që infektohen të pavaksinuarit. Kjo bëhet e ndjeshme në kushtet e pranisë së variantit Omicron në Shqipëri. Vaksinimi nuk është zgjedhje personale për përgjegjësi publike. Jemi në prag të festave. Vitin e kaluar festimi jo sipas masave solli një numër të madh jetësh të humbura. Një dozë vaksinë nuk e mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e infeksionit.
Ata që do festojnë në familje të mëdha të respektojnë masat dhe të shmangen grumbullime. Ora policore do të vazhdojë të mbetet e njëjtë me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve. Vaksinimi është e vetmja mënyrë që mund të përmbyllë pandeminë. Ju kujtoj që në datë 4 janar punonjësit e administratës, supermarketeve dhe qendrave tregtare do paraqesin certifikatën e vaksinimi. Kjo certifikatë ka filluar të gjenerohet edhe në sistemin E-Albania”, tha Rakacolli.