OFL në aksion, kush janë 15 të fortët në “sitë”?

Operacioni Forca e Ligjit (OFL) ka goditur sërish sot të dyshuarit si “koka” krimi në vend.

Për 48 orë, Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini do të duhet të justifikojnë pasurinë e tyre me shkrim në OFL. Ka kaluar më shumë se një javë që prej momentit kur OFL ka nisur goditjen dhe sekuestrimin e emrave të njohur të botës së krimit.

Dje, OFL dërgoi formularin tek Suel Cela dhe Plarent Dervishajt.

Më herët, OLF shënjestroi biznesmenin durrsak, Dashamir Gjoka, dhe trafikantin i arrestuar në Gjermani për trafik droge, Emiljano Hysenaj dhe të afërmin e tij, Edlirin.

Formulari iu dërgua ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili ktheu edhe përgjigjien e tij.

Formulari i është dërguar edhe Ardian Çapjas në Elbasan, ndërkohë që pasuria i është sekuestruar Altin Hajrit në Shijak, dhe Grupit të Dukagjinit në Shkodër.

3 ditë  më parë OFL-ja i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë Saimir Taullau dhe Arben Isufaj i njohur ndryshe si Ben Qimja.

Po kështu ditën e shtunë u janë sekuestruar makinat e blindura, Durim Bamit, Dashamir Gjokës dhe Landi Muharremit.

Në ‘sitën’ e OFL-së u kap “kumbari i Shkodrës” Bardhok Pllanaj dhe  Alberto Kochsiek (Lamaj), i njohur ndryshe si kreu i bandës së bananeve.

Ndërsa dje, radha i erdhi edhe Emiljano Shullazit dhe Gjergj Cukali, i cili përflitet se është mik i afërt me të.

E shkuara kriminale e Dritan Dajtit

Ndërkohë që OFL i kërkon llogari për pasurinë, Dritan Dajti ndodhet në burgun 302, fatlum pasi Gjykata vendosi t’ja hiqte burgimin e përjetshëm, dhe t’ja konvertonte atë në vetëm 25 vite burg, nga të cilat, Dajtit i ngelen vetëm 15 vite. Dajti akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë në vitin 2009.

Historia e kësaj masakre u bë edhe më e rëndë, ku pas hetimeve u zbuluan edhe disa lidhje të Dajtit brenda Policisë së Shtetit. Përgjimet telefonike zbuluan numra policie në telefonat e Dajtit, ndërkohë që dyshua se ky i fundit po i priste specialët e skuadrës së vëzhgimeve dhe ndjekjeve.

E shkuara kriminale e Xhevdet Troplinit

Ditën e djeshme, Xhevdet Troplinit iu sekuestrua makina e blinduar. Ai ishte në lupën e Policisë pasi ka qënë i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. /abcnews.al