Nëse Prokuroria pak kohë më parë kërkoi arrestimin e një komisioneri që kishte humbur jetën gjatë procesit gjyqësor, tashmë është Policia e Shtetit që kërkon brenda 48 orësh plotësimin e një formulari nga një person që është vrarë në Siri.
Në aksionin e saj, OFL i ka trokitur në derën e mbyllur Shkëlzen Dumanit, të vrarë në Siri 6 vite më parë, që ai të plotësojë urgjent prejardhjen e të ardhurave të tij. Proceduralisht, Policia e Shtetit ndoshta është në rregull, pasi personi në fjalë nuk figuron i vdekur me letra ndaj edhe procedura quhet e rregullt për sa kohë nuk njihet i vdekur zyrtarisht.
Por ajo që të bën habi është se, krahas faktit që është në rregull proceduralisht, cila është pasuria e Shkëlzen Dumanit? Sipas familjarëve të tij ai ka pasur në pronësi një apartament dhe një automjet. Në apartamentin e tij tashmë nuk jeton askush, kjo edhe pas vdekjes së nënës së tij, Mentije Dumanit. Për këtë arsye, ata e kanë kthyer mbrapsht formularin e dërguar nga Operacioni Forca e Ligjit.
Shkëlzen Dumani, u vra krah në vitin 2014 në moshën 39-vjeçare. Sipas riteve fetare në Siri ushtarët e vdekur për luftën e shenjtë bien shehit dhe varrosen në tokën ku kanë luftuar. Ai la pas dy fëmijë, Evën dhe Endrin, ndërsa nëna e tyre, Mide Dumani, kërkon rikthimin e tyre.