OBSH: Sulmi izraelit ka bërë jofunksional “institucionin e fundit të madh shëndetësor” në Gazën veriore…

Shpërndaje

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se bastisja izraelite në spitalin Kamal Adwan e vuri jashtë shërbimit “institucionin e fundit të madh shëndetësor” në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke bërë thirrje që t’i jepet fund “këtij tmerri”.

OBSH, përmes një postimi në X, tha se raportet fillestare tregojnë se disa departamente kyçe u dogjën dhe u shkatërruan rëndë gjatë bastisjes, ndërsa në spital mbetën 60 punonjës shëndetësorë dhe 25 pacientë në gjendje kritike, përfshirë ata në ventilatorë.

Agjencia e OKB-së tha se pacientët në kushte mesatare, madje edhe kushte të rënda, u detyruan të evakuoheshin në Spitalin Indonezian i cili është i shkatërruar dhe jofunksional, ndërsa OBSH është thellësisht e shqetësuar për sigurinë e tyre.

“Kjo bastisje në Spitalin Kamal Adwan vjen pas përshkallëzimit të kufizimeve për qasjen për OBSH-në dhe partnerët dhe sulmeve të përsëritura në ose pranë objektit që nga fillimi i tetorit”, thuhet në njoftim, ku shtohet:

“Armiqësi dhe bastisje të këtilla po zhbëjnë të gjitha përpjekjet dhe mbështetjen tonë për ta mbajtur objektin në funksionim minimal”.

Nga OBSH gjithashtu vlerësojnë se “shpërbërja sistematike e sistemit shëndetësor në Gaza është një dënim me vdekje për dhjetëra mijëra palestinezë që kanë nevojë për kujdes shëndetësor”.

“Ky tmerr duhet të marrë fund dhe personeli shëndetësor duhet të mbrohet. Armëpushim!”, thuhet në postimin e OBSH-së.

Izraeli nisi një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë në veri të Gazës më 5 tetor për të parandaluar rigrupimin e grupit palestinez Hamas. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.

Që atëherë, asnjë ndihmë e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin nuk është lejuar në zonë, duke e lënë popullsinë në prag të urisë.

Izraeli ka vrarë më shumë se 45.400 njerëz në Gaza që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhrarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Gaza.

Shpërndaje