Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ketë rritje të rasteve me virusin e rrallë, të ashtuquajtur lia e majmunëve, për shkak organizimit më të madh të festave në muajt e verës.
“Teksa hyjmë në periudhën e verës në rajonin evropian, me festa masive, festivale dhe kremtime të ndryshme, jam i shqetësuar se përhapja për mund të rritet ndonëse rastet e identifikuara tani janë në mesin e atyre që janë përfshirë në aktivitete të natyrës intime dhe simptomat janë të panjohura për shumë njerëz”, tha Hans Kluge nga OBSH.
Më shumë se 100 raste të infeksionit viral janë konfirmuar në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Britani. Disa raste janë identifikuar edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi. Në Spanjë, rastet e para janë gjurmuar në një sauna. Vendi numëron deri tani 30 te infektuar me virusin tropikal.
Thuajse shumica e tyre janë regjistruar në Madrid, mes të rinjve gay dhe burrave biseksualë. E identifikuar fillimisht tek majmunët, kjo sëmundje përhapet në rastet e kontaktit shumë të afërt dhe rrallë herë ka dalë jashtë Afrikës. Shkencëtarët nuk presin shpërthim sikurse të koronavirusit, sepse ky virus nuk përhapet lehtë si SARS-COV-2, por sërish bëjnë thirrje për kujdes. OBSH ka thënë se rastet e fundit janë të pazakonshme, sepse pothuajse të gjithë individët e prekur nga virusi, nuk kanë pasur histori të udhëtimit në zonat ku lia e majmunëve është endemike.
Në Britani, ku janë konfirmuar 20 raste, shërbimet shëndetësore kanë thënë se shumica e të infektuarve janë burra homoseksualë apo biseksualë. Edhe 14 rastet e identifikuara në Portugali kanë qenë të lidhura me burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra tjerë.
Fabian Leendertz nga Instituti Robert Koch në Gjermani e ka përshkruar shpërthimi si epidemi, mirëpo ka thënë se ajo do të izolohet përmes gjurmimit të kontakteve dhe trajtimit me ilaçe.