Numri i të vdekurve palestinezë nga ofensiva izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 25.900, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar.
Ministria në një deklaratë tha se 64.110 të tjerë janë plagosur gjithashtu.
Forcat izraelite kanë kryer 24 masakra në gjithë Rripin e Gazës në 21 orët e fundit, duke vrarë të paktën 200 njerëz dhe duke plagosur 370 të tjerë, tha ministria, duke shtuar: “Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë dhe shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ata”.
Ministria akuzoi gjithashtu Izraelin se ka kryer “krime gjenocidale në strehimoret e drejtuara nga UNRWA-ja dhe në zonën al-Mawasi” (qyteti Khan Younis), për të cilin Tel Avivi pretendon se është e sigurt.
Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i grupit palestinez Hamas në tetor, në të cilin besohet se janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.
Lufta izraelite ka zhvendosur brenda 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës, sipas OKB-së, është dëmtuar ose shkatërruar.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shpallë vendimin e saj të shumëpritur mbi padinë e Afrikës së Jugut për gjenocid kundër Izraelit të premten.