“Një vakt i ngrohtë për gjyshërit tanë”, nisma e mrekullueshme në Shkodër…

Shpërndaje

Në këto ditë aspak të lehta që po kalon vendi për shkak të virusit Covid-19, nga qyteti i Shkodrës vijnë mesazhe domethënëse nga vullnetarë që po mundohen të lehtësojnë vuajtjen dhe vetminë e të moshuarve, të cilët po kalojnë momente të vështira.

“Një vakt i ngrohtë për gjyshërit tanë” është nisma e një grupi të rinjsh vullnetarë të “Eko Mendje” të cilët po i qëndrojnë afër të moshuarve që po e kalojnë të vetëm këtë situatë, në mungesë të nipërve dhe mbesave të tyre.

“Këtë ditë të vështira po u qëndrojmë pranë moshës së tretë. Atyre gjyshërve që janë të izoluar në shtëpi dhe nuk kanë mundësi të dalin. Po shkojmë afër dhe kontaktojmë me ta dhe kushërinjtë e tyre. Iu çojmë ushqime, një pjatë të ngrohtë, u blejmë ilaçe dhe u dërgojmë edhe gjëra të tjera që kanë nevojë për higjienën e tyre personale”, tha Mirsad Basha, drejtues i “Eko Mendje”.

Bashkë me gjellën e ngrohtë, këto të rinj kanë mbledhur ndihma nga donatorë të ndryshëm dhe biznese në Shkodër duke u munduar që të lehtësojnë sadopak jetesën e personave në nevojë. Edona Tafa, aktiviste vullnetare me profesion mjeke, po kujdeset që tu sigurojë ilaçet e nevojshme që të moshuarit të mos dalin nga banesat e tyre.

Fotografia e EKO Mendje

“Fakti që u kërkojmë të gjithëve të rrinë në shtëpi është shumë e kollajtë me u thënë, por në momentin kur ata kanë nevojë për ushqime dhe medikamente që është  bazike e vështirë të ekzekutohet si sugjerim. Këto ditë jemi fokusuar edhe tek pjesa  e medikamenteve në mënyrë që t’ju gjendemi afër”, tha ajo.

Në këto ditë, një ndihmë modeste ka vlerë të madhe, e sidomos për ata persona të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për vëmendje dhe përkujdesje .

“Janë momente të vështira dhe ky është momenti me qëndrojmë afër njëri-tjetrit. Duhet të dhurojmë dashuri. Mesazhi është t’u dhurojmë diçka moshës së tretë. Mosha e tretë ka nevojë për një person që t’i dëgjojë dhe një person që t’i dojë ato”, shtoi drejtuesi i “Eko Mendje”.

Shpërndaje