Një Shkodër si kjo, nuk mund të gabojë!…

Shpërndaje

Nga Ana Shkreli Lisi

Shkodra është klas dhe “klasi nuk është ujë”. Klasi do themel, do të shkuar, të tashme dhe të ardhme. Klasi nuk ta fal gabimin dhe as gabon…

Çfarë ndjesie të bukur – për fat të keq pothuaj të harruar- përjetova në këtë mëngjes të shtune. Prej vitesh refuzoj të ndjek propagandën e politikës në kohë fushate dhe tanimë jam krejtësisht indiferente ndaj saj, ama – prej një rastësie të bekuar – ndërkohë që pija kafenë e mëngjesit duke humbur mendjen në rrjetet sociale, më doli përpara video e një kënge, e titulluar “Si ke ndje”, e kënduar nga një vajzë që i dedikohej Shkodrës! E kishte postuar Benet Beci, kandidati për kryetar i bashkisë Shkodrës, shoqëruar me hashtagun #shkodrapozitive

https://www.youtube.com/watch?v=AOUc-Xsc6Uo

O Zot çfarë energjie e mirë! Çfarë tingujsh qiellore! Çfarë qytetarie! Çfarë zëri engjëllor dhe sa e bukur ajo kaçurrelse shkodrane që i këndonte qytetit të saj. E ndoqa deri në fund dhe me sytë e fantazisë i vizitova, edhe unë me biçikletë njësoj si ajo, të gjitha ato vende në Shkodër. Personalisht kam një lidhje shpirtërore me Shkodrën, prej paraardhësve të mi, ama jam absolutisht e bindur që kushdo që e ka shkelur këtë qytet një herë në jetë, ka mbetur i magjepsur prej tij.

I thonë djep i kulturës dhe të drejtë kanë! Pak vende mund ta kenë guximin të krahasohen me historinë dhe kulturën e Shkodër loces tonë. A ma do me kala, a ma do me arkitekturë,  a ma do për figura të shquara e personalitete botërorë, a ma do me kulturë, me muze, me histori…  Shkodra është unike! Shkodra të thërret e pasi ta fitosh nuk të lëshon më. Shkodra të tundon me rrugica, me shtëpi të vjetra, me det, me lumenj, me liqen e me mal…

Shkodra i ka shoqet e rralla!

Shkodra ka edhe tangërllik, por të atij llojit që i shkon. A keni qëlluar ndonjëherë në një dasmë shkodrane? Zor ta gjeni një magji të tillë diku tjetër! A e keni shëtitur ndonjëherë Shkodrën me biçikletë? Provojeni në rastin më të parë që iu del përpara. A keni hyrë ndonjëherë në një kishë në Shkodër? Po në xhami?

Ja këto mendova këtë mëngjes pranvere, ndërsa ndala në një këngë që Benet Beci, kandidati për kryetar i bashkisë së Shkodrës e kishte postuar në profilin e tij, “si dhuratë nga artistët shkodranë për të”.

“Si ke ndje”, pyeste kaçurrelja bukuroshe e këngës. “Diçka” më vinte të përgjigjesha, “por pasi të dëgjova ty, ndihem fantazi”.

Pastaj shfletova profilin e Benet Becit, një pinjoll Shkodre 24 karat,  fort i fisëm në gen e personalitet. Dhe kujtova postulatin e famshëm, “klasi nuk është ujë”. Klasi do themel, do të shkuar, të tashme dhe të ardhme. Klasi nuk ta fal gabimin dhe as gabon.

E falënderova me mendje kandidatin Benet Beci që me kishte respektuar edhe mua, edhe ty, të gjithë ne në këtë postim të së shtunës, me këtë këngë qytetare, me këto tinguj qiellor, zë engjëllor e fytyrë të bukur. Me këtë ftesë qytetare për të parë Shkodrën.

Shkodra është e mençur! Për këtë arsye dhe gjitha të tjerat që rendita më lart, unë e di që ajo nuk mund të gabojë në këtë ofertë politike.

Shpërndaje