Një botëror madhështor!

Nga Redi Shehu

Kupa e Botës Katar 2022 mbaroi. Pati edhe një fitues si Argjentina e cila e nisi mbrapsht për ta përfunduar atë për së mbari. Pati edhe skuadra si Gjermania e cila u mundua ta niste për “së mbari” duk iu imponuar kulturalisht dhe politikisht mikpritësve, për ta përfunduar atë në formën më të mbrapsht të mundshme. Me mbarimin e kupës, do të mbarojë edhe një cunami shpifjesh dhe trillimesh, të cilat shoqëruan këtë kupë që në fillimet e saj. Me mbarimin e kupës, do të mbarojë edhe entuziazmi futbollistik i cilin ngop turmat me eufori të përkohshme për t’i shpëtuar streseve të përhershme. Me mbarimin e kupës, fillon edhe përjetësimi i idhujve të rinj të gatshëm për t’u adhuruar nga miliona “skllevër” të cilët i vetofrohen këtij proçesi anestezie që mpin trurin dhe paralizon gjymtyrët.

Katar 2022 do të ngelet në historinë jo vetëm të futbollit por edhe të manualit kulturor me të cilin bota gjithmonë është përpjekur për ta udhëzuar veten drejt zgjidhjesh sa herë ka rënë në kolapsin e përballjes me të ndryshmen ndaj saj. Katar 2022 nuk qe thjesht një kupe bote siç rëndom ndodh. Kësaj radhe, fatkeqësisht, një seri shtetesh dhe mediash me të cilat ata përfaqësohen, tentuan ta transformojnë eventin më të rëndësishëm botëror të futbollit, në skenën më të madhe të konfliktit kulturor, një rast i mrekullueshëm për të ringjallur nga koma përplasjen e qytetërimeve aq shumë të lakmuar nga disa “elita”. Midis fjaleve të Morgan Freeman-it; “Ne mblidhemi këtu si një fis i madh, ndërsa toka është tenda nën të cilën të gjithë ne gjallojmë” dhe bojkotit të një seri shtetesh dhe televizionesh perëndimore, qëndronte Ghanim al Muftah, një djalosh katarez me gjysëm trupi, si metafora e gjallë e asaj se si bota ka ndërtuar marrëdhëniet e gjymtuara brënda saj. Karshi bojkotit të pakuptimtë të disa mediave të mëdha perëndimore, përfshirë edhe BBC-në, qëndronte një ceremoni hapjeje madhështore, jo vetëm për nga teknologjia dhe organizimi i paparë ndonjëherë, por edhe për nga dimensioni human të cilin ajo e përshkonte. Katari, deshi ta fillonte Kupën e Botës me një leksion ndërkombëtar kundra keqvendosjes së roleve, përkundrejt natyrshmërisë që secili komb ka në këtë kostelacion njerëzor.

Jam munduar te gjej arsyet e kësaj kokëfortësie kryesisht evropiane, dhe të vetmin shpjegim që gjej, është racizmi kulturor. Për disa vende apo edhe disa “elita”, është i padurueshëm fakti se si eventi më i madh futbollistik i botes, të mbahet në një vend të Lindjes se Mesme. Në fakt, nuk kanë faj, janë mësuar t’i konsiderojnë si koloni, por ja që gjerat kanë ndryshuar. Kanë kaluar 150 vite nga kolonizimi si mendësi dhe praktikë dhe sot, Katari, është një ndër pesë vendet me të ardhurat vjetore më të larta në botë me mbi 145.000 dollare per fryme. Zhvillimi ekonomik dhe teknologjik është shumë më lart se sa vendet e BE-se. Shumë prej pretendimeve të ngritura nga rojtaret e racizmit kulturor, kanë filluar me proçesin e përzgjedhjes së Katarit si vend organizator duke e akuzuar atë se ka blerë FIFA-n. Por, nuk thonë se ata që orientuan proçesin e përzgjedhjes, nuk ka qene Katari (sepse nuk mund ta bënte) por Sarkozi dhe Platini, të cilët ndërhynë në proçes në favor të Katarit sepse kishin hallin të mbyllnin një kontratë milardëshe shitjeje avionësh ndaj këtij të fundit.

Vërtet, ka pasur një histeri dizinformuese lidhur me të drejtat e njeriut në Katar, bazuar edhe në një të shkuar pak problematike përsa i përket ligjit Kafala të punësimit, por asnjë nga mediat ndërkombëtare nuk përmendën që ky ligj ka rënë shumë vite me parë. Organizata Ndërkombëtare e Punësimit të Kombeve të Bashkuara, qartazi ka lavdëruar Katarin për reformat në këto të drejta përfshirë edhe heqjen e regjimit të vizave për punonjësit, vendosjen e një page jo diskriminuese dhe lehtësimin në maksimum e të drejtave të punësimit. Të njëjtin inkurajim për Katarin kanë dhënë edhe shumë unione ndërkombëtare të tregëtisë duke e profilizuar si vendin me ligjet më të mira të të drejtave të punësimit në të gjithë rajonin. E gjithe kjo histori e superioritetit moral të nënkuptuar të evropianëve lidhur me të drejtat e punëtorëve apo atë të njeriut, bie erë kur mendon se si u shfrytëzuan koloni të tëra për të ndërtuar Evropën dhe se si pasardhësit e këtyre kolonive mbahen nëpër getot evropiane të cilat janë një turp i multikulturalizmit dhe barazisë në të drejta dhe shërbime.

Shumë prej nesh e kemi degjuar shifrën prej 6.500 viktimave në ndërtimn e stadiumeve te Katar 2020, shifër kjo e katapultuar së pari nga “The Guardian” dhe me vonë në formën e një pandemie dizinformuese u shpërnda jo pak por 400 mije here në të gjitha mediat boterore. Në fakt, del se kjo shifër nuk ka lidhje me realitetin e kupës se botës. Sipas “Middle East Monitor”, numri i vdekjeve që lidhen direkt me ndertimin e stadiumeve të Katarit në periudhën 2011-2020 është 37 veta. Ajo që gazeta angleze, përmend, janë vdekjet në total të ndodhura gjatë një dekade në Katar nga të gjitha shkaqet e mundshme përfshirë edhe periudhën me vdekshmëri të lartë të pandemisë.

Lëre pastaj kur kundërshtia arrin majën fokusuar tek LGBTQ, duke anashkaluar traditën dhe konstruktin ligjor e moral të një vendi bazuar në normat e veta fetaro-juridike. Kjo kryeneçësia për t’i imponuar çdo civilizimi, kushte të caktuara me metoda aspak demokratike nën emër të demokacisë, është impresionuese. Nëse çështja e LGTBQ-ve mbart aq vlera sa thuhet, do të ishin vetë kombet që do ta përqafonin atë pa pasur nevojë për presione e lobingje. Aq më tepër, një çështje e cila nuk ka kaluar as provimin bazë të demokracisë siç është edhe referendumi popullor.

Janë zhvilluar plot kampionate botërore, por, në asnjë prej tyre nuk kemi parë një histeri të tillë edhe kur bëhej fjalë per vende si Rusia, Meksika, Afrika e Jugut apo Brazili standartet e te cilave eshte e kote t’i komentojme. Nuk pamë nga mediat ndërkombëtare të bojkotonin apo të filloin një fushatë ndaj Rusisë, ku demokracia dhe të drejtat e njeriut janë në nivelet më alarmante të mundshme. Nuk u fol për kushte pune as për homoseksualë, në një vend i cili i ka përndjekur vazhdimisht ata. As për korrupsionin akut dhe kriminalitetin e Meksikës, Afrikës së Jugut apo Brazilit nuk pati një fushatë të tillë. Një hipokrizi e kësaj natyre nuk meriton te vishet as me mantelin e fisnikërisë dhe ndershmërisë

Ky kampionat ishte i standarteve më të larta përsa i përket infrastruktures, teknologjise, stadiumeve, akomodimit dhe mbi të gjitha humanizmit të shfaqur në çdo detaj. Dialogu më madhështor i gjithë këtij eventi, ishte ai i bërë gjatë ceremonisë së hapjes së Kupës së Botës ne Katar. Ishte thirrja më bujare që popujt të njohin njëri-tjetrin duke i dhënë fund kështu cdo forme paragjykimi e për pasojë çdo forme konflikti. Një premisë e tillë nuk ishte parë e dëgjuar në ngjarje te tilla. Sikur vetem kjo të ndodhë dhe asgjë tjeter, ia vlen i gjithë organizimi dhe i gjithë Boterori. Diplomacia kulturore me këtë dialog mbreselenes arriti majat, bash në kohën më të duhur të mundshme, kur sirenat eurocentriste buçisnin shurdhueshëm pak ditë para fillimit të kampionatit. Në fakt, ky doli të ishte kampionati më i suksesshëm dhe më i paarrirë në historinë e kampionateve botërore të futbollit si për t’ë vërtetuar se bota nuk është më ajo e klisheve dhe e steriotipeve, dhe për t’i treguar atyre që akoma nuk e besojnë, se koha e kolonizimeve ka marrë fund.