Ndalesat për udhëtime të paarsyetuara nga vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perëndimor, zgjaten deri më 15 qershor.
Gjermania ka vendosur të hapë gradualisht kufijtë me disa nga vendet fqinje.
Me Luksemburgun kufiri do të hapet qysh të shtunën, po ashtu pritet që së shpejti të ketë heqje të kontrolleve kufitare edhe me Danimarkën.
Këtë dhe lehtësime të tjera e bëri të ditur ministri i brendshëm gjerman, Horst Seehofer, të mërkurën, në Berlin, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes se kabinetit te kancelares Angela Merkel. Për vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perendimor, qeveria gjermane vendosi t’i bashkohet këshillës së ardhur po të mërkurën nga Brukseli për zgjatjen e ndalimeve deri më 15 qershor.
Hapje graduale me fqinjët
Duke filluar që nga dita e shtunë kontrollet në kufi me Austrinë, Zvicrën dhe Francën nuk do të jenë më sistematike, por vetëm rastësore, tha ministri brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Ndërsa në kufirin me Luksemburgun nuk do të ketë më kontroll, po ashtu heqja e kontrolleve pritet të ndodhë edhe edhe Danimarkën. „Për këtë jemi duke biseduar me qeverinë daneze“, tha ministri gjerman.
Meqenëse rregullorja e karantinës për njerëzit që vijnë nga jashtë është kompetencë e landeve federale, Seehofer, si ministër i mbarë Gjermanisë mund të japë vetëm udhëzime: Dhe ai sugjeron që rregulli i karantinës dyjavore, siç është deri tani, të hiqet për shtetas që vijnë nga vendet fqinjë.
Sipas ministrit gjerman, Gjermania synon të hapë kufijtë gradualisht edhe me vendet e tjera, si fqinje në lindje si Polonia dhe Çekia, por për këtë ende nuk ka një dakordësim.
Mbeten të mbyllura kufijtë me Italinë e Spanjën
Sipas Seehoferit, të mbyllura do të mbeten udhëtimet nga Italia dhe Spanja, ku ende niveli i infeksioneve është i lartë. Për momentin nuk mund të mbajmë përgjegjësi për hapjen e kufijve me këto vende, tha ministri gjerman I punëve të brendshme. Horst Seehofer tha më tej se vendimi për hapjen e kufirit me këto vende do të bëhet në marrëveshje me Austrinë, Zvicrën dhe Francën, të cilat janë fqinje me to.
Hapja e sinjalizua nga Gjermania është e lidhur me një kusht: Që niveli I infeksioneve të jetë i njëjtë në të dyja anët e kufirit, dhe të mos ketë rritje. Si shifër orientuese Seehofer tha se vlen e njëjta që ka caktuar qeveria gjermane për zbutjen e masave parandaluese në Gjermani. Kjo do të thotë që numri i infeksioneve të reja mos jetë më i lartë se 50 në 100 000 banorë brenda një jave.
Komisioni i BE-se me propozim per turizmin
Vetëm disa minuta pasi ministri i brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer kishte bërë të njohur në Berlin se do të niste hapjen graduale të kontrolleve kufitare, në Bruksel, doli edhe komisioni i BE-së me propozime të ngjashme. Komisioneri i tregut të brendshëm, Thiery Breton, tha se “izolimi i shteteve nuk është më mjeti përshtatshëm kundër pandemisë”.
Sipas tij komisioni propozon hapjen hap pas hapi të kufijve, në ato vende ku pandemia është në të njëjtin nivel nga të dyja anët e kufirit. Kusht është që ato të kenë mjaft kapacitete për të testuar, të kenë shtretër në stacionet intensive dhe të dihet se nga kalojnë zinxhirët e infeksionit.
Ndërsa për zonën Schengen, komisioni këshillon një hapje graduale, përsa e lejon niveli I përhapjes së pandemisë, për vendet e treta, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, SHBA-të, Rusia, Kina, etj. Komisioni këshillon që masat aktuale të mbeten në fuqi deri më 15 qershor.
Përpjekje për të shpëtuar turizmin
Më pare edhe Austria kishte paralajmëruar se do të hapte kufirin me Gjermaninë pas datës 15 qershor, dhe se po ashtu planifikonte hapje me vende të tjera fqinje, si Zvicrën, Liechtenstein dhe disa vende fqinje në Lindje të saj.
Për shumë vende, ndër ta Austria, hapje e kufirit me Gjermaninë do të sillte edhe një fare shprese për degën e turizmit, për të cilin pushuesit gjermanë luajnë një rol shumë të madh. Në vitin 2019 në sezonin veror (maj deri në tetor) ata përbënin 37,4 përqind të të ardhurave prej gjithsej 79 milionë euro.
Që jo vetëm të ardhurat, por edhe pushimet nuk do të jenë si një vit më parë, këtë e dine vendimmarrësit si nëpër vendet e BE-së ashtu edhe në Bruksel. “Kjo verë natyrisht nuk është një verë normale”, pat thënë edhe nënkryetarja e Komisionit të BE-së, Margrethe Vestager, e cila prezantoi në Bruksel direktivat e turizmit, së bashku me Komisionerin e tregut të brendshëm, Breton.
Sipas tyre udhëtarët dhe punëmarrësit në restorante dhe hotele duhet të ndjehen të sigurt. Prandaj Komisioni propozon që të hartojë rregullore për pastrimin e dhomave, për ruajtjen e distancës ndërmjet tavolinave gjatë ngrënies, ose nëpër pishina dhe plazhe, si edhe për transportin e udhëtarëve me autobusë, taksi ose aeroplanë./DW