Nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të pajisen duke nisur nga dita e sotme me tekstet shkollore për vitin e ri akademik. Kryeministri, Edi Rama, ka ndarë lajmin duke theksuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për nxënësit nga klasa e parë në të tretëtn, të cilët do të pajisen me libra të rinj pa kushtin për t’i dorëzuar në përfundim të vitit shkollor.
Rama e konsideron këtë vendim si vazhdim i traditës së qeverisë shqiptare për të investuar në dijen e nxënësve.
“Mirëmëngjes dhe me nisjen e shpërndarjes së teksteve FALAS për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare – ku përveç klasave të para, edhe ato të dyta e të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim – si dhe për nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, një konkretizim tashmë tradicional i mbështetjes së qeverisë shqiptare për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan ai.
Për nxënësit e shkollave 9-vjeçare mësimi fillon në datën 11 shtator të këtij viti dhe përfundon në datën 14 qershor të vitit 2024.