Nisma e iniciuar nga fëmijët e efektivëve të policisë të rënë në detyrë e kthyer në fondacionin ‘Gjurma’ ka nisur punën për ndërtimin e banesës për familjen e efektivit Kol Ndreshaj, i vrarë në krye të detyrës në vitin 2010.
Pjesë e takimit ku u prezantuan edhe objektivat e këtij fondacioni si dhe shfaqën në monitor edhe fotot e policëve të rënë në detyrë, ishte edhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Në fjalën e tij ai theksoi se Policia e Shtetit do të japë një kontribut prej 4 milionë lekësh për këtë mision.
224 kolegët tanë sot janë dëshmor, shumë prej tyre janë plagosur dhe të tjerë janë sakrifikuar. Shumë prej tyre sot janë në radhët e policisë së shtetit duke ndjekur rrugën e prindërit të tyre, e të tjerë janë bërë specialist e profesionistë të zotë.
Dëshiroj ti përcjell fondacionit ‘Gjurma’ një fond prej 4 milionë lekësh të reja kontribut i punonjësve të policisë së shtetit, deklaroi Veliu.
Ndërkohë nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i pranishëm në takim u shpreh se policia është e vetmja organizatë që ka më shumë jetë të humbura në 30 vite.
Si asnjë grup tjetër profesionistësh në Shqipëri në harkun e 30 viteve ka pësuar një humbje të rëndë, të parikuperueshme duke dëshmuar se është një nga organizatat për të mos thënë e vetmja që ka vënë në funksion të punës jo vetëm orët e saj por edhe gjakun, u shpreh Lleshaj.
Familja që do të strehohet nga kjo nismë është ajo e efektivit të rënë nga Shkodra në vitin 2010 Kol Ndreshaj.