Nga Xhahid Bushati
Artistit të Popullit Tano Banushi (4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993)
Herë pas here, edhe pse i distancuar në kohë, i jam kthyer figurës poliedrike të Tano Banushit, të cilin kam pasur fatin ta njoh. Një aktor brilant, i papërsëritshëm i humorit shqiptar.
Gjithmonë me mendimin se kam lënë diçka mangut pa thënë, e pse jo, më duket sikur vitet dhe koha ende dinë diçka (në të vërtetë dinë) dhe ma fshehin… Sepse, në të vërtetë, universi aktoresk i Tano Banushit, ka bërë që në skenën e estradës, (më vjen në ndihmë fraza e një studiuesi, të cilën dua ta perifrazoj) “… aty (të) lind miti, aty (të) lë (rë) gjurmë pasioni, aty (të) shndrisin ndjenjat.”
Skena, prapa kuintave, studio e aktorit, tavolina familjare dhe ajo mes miqve janë një hapësirë e gjerë, e parrokshme dhe që ka nevojë të gjurmohet e të studiohet. Sepse, Artisti i Popullit, Tano Banushi mbeti një emër popullor, një figurë e spikatur në zhanrin e humorit e të satirës shqiptare. E kur mendon për një çast vitet e jetës së tij artistike: mbi 1000 dalje në skenën e estradës e të teatrit, mbi 1000 fytyra skenike: shërbëtorë, nëpunës, policë, xhandarë, ushtarë, koopërativistë, brigadierë, shefa, kryetarë, sportistë, arbitra, turistë, tifozë, bojaxhinj, thashethemaxhinj, kafshë e shpendë pylli… bile edhe femra…, të realizuara nga humori i pashterur e fin shkodran i Tanos (kujtoni disa prej tyre, si: Leo, Dulla, fotografi, gjuetari, Pashuku,…), të cilat lanë gjurmë, sepse morën jetë nga jeta e artistit Tano Banushi.
Po le të kthehemi shumë e shumë vite më parë, ku Tanoja nisi fillimet e rrugës së artit. Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit (1945), në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e një të dehuri, e cila “… bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi” – do të thoshte në një shkrim-portret kushtuar artistit Banushi, studiuesi dhe kritiku i mirënjohur Miho Gjini.
Më pas, Tanoja, do të interpretonte rolin e një shërbëtori komik në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt (1946). Ndërsa si prezantues i një serie shfaqjesh të grupit artistik të klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”, kësaj here Tanoja do të shfaqej elegant, i shkathët, me një humor befasues plot ngjyra shkodrane, improvizues dhe ekspresiv. E do të vazhdonte me pasurimin e galerisë së roleve: te marinari në “Një tragjedi optimiste” të Ishnjevskit, te kapteri në komedinë “Prefekti” të B. Levonjës, te Llomovi në “Fejesa” e Çehovit, te Mazllumi në komedinë “Hej, more babë!” të J. Vojushit.
Tanoja ishte një figurë komplekse, me prirje të ndërtimit të personazhit përmes ngjyrave realiste. Brenda një shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. I dhuronte kostumin banushian. Aq i vëmendshëm ishte, sa i jepte rëndësi edhe një karafili në vesh, një stilolapsi, një… E kërkonte tipin, e kërkonte karakterin. Dhe për këtë shkrimtari humorist, Paulin Selimi, kujton: “Kam mbetur i befasuar në interpretimin e pjesëve të mia që kam shkruar për estradën. Te “Shani me bidon” luante rolin e një fshatari dallkauk e dembel. Një figurë interesante e me plot detaje shprehëse. Ndërsa te komedia me një akt “Kunati i shokut Xhemal” (pjesa e dytë), edhe pse protogonist ishte Zef Deda, Tanoja ndërtoi një rol tragjiko-komik, me dramën që shpalosej situatë pas situate të babait që donte të martonte vajzën me një të panjohur”.
Leoja (komedia “Këshilli i ndrikullave” i Sh. Mitës) është kryevepra e Tanos. Ai arriti jo vetëm ta zbërthejë Leon, këtë personazh grotesk, por futi nga xhepi i vet si i thonë një fjale, batuta e fjalë komike për ta mishëruar e karakterizuar Leon, sa e bëri simbol e personifikim të një Don Zhuani të pafat e qesharak, të një dashurie të kërkuar që e bëri tragjiko-komik. Ai jo vetëm figurën e Leos e pasuroi me batuta, por njëkohësisht nga ana e jashtme (shikojeni dhe kujtojeni) kreun e flokëve (kaçurrelin dhe funksionin e tij), qëndrimet, ecjet, dialogjet dhe raportet me tri ndrikullat, me Rinën dhe Rinushin…, e, që të gjitha këto e bëjnë një figurë demode, dalë boje e dalë kohe.
Jo vetëm me detajin regjisorial, por zgjidhte edhe detajin në veshje, nga roli në rol ndërronte si zërin, ashtu edhe intonacionin. Prandaj kurrë nuk e përsëriste veten. Mbeti kërkues ndaj figurës, eksplorator i figurave, i roleve, i batutave; mbeti gjithmonë i këndshëm.
Ishte një aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, gazmoren, farsën, intermexon, etj. Përjetonte dramën brenda personazhit, që e shpaloste në një interpretim virtuoz. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as kloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë, dhembje, kushtrim…
Tanoja përherë e kërkonte situatën. Kërkonte materiale ku parësore të ishte situata humoristike. E brenda saj, – thoshte gjithëherë Tanoja, – unë notoj. Situatën e quante si një “liqen”, që, po nuk pati shumë ujë, nuk ke ku dhe si noton.
Kur kishte situtën humoristike, ndërtonte dhe batutën dhe figurën. Të mos harrojmë se Tanoja luajti edhe role që nuk kishin situatë humoristike, sepse atë rol i ofronte regjisori. Nuk bënte naze, se nuk ishte aktor i nazeve. Pra, ka luajtur edhe role të dorës së dytë, të tretë. Në tërë atë galeri figurash që ka krijuar Tano Banushi, ka “shitur” shpirtin, aq sa kur ishte brenda rolit nuk ishte ai, Tanoja, që e njihnim në jetën e përditshme, hokatari, por ishte personazhi që fliste, interpretonte e na dhuronte emocion.
Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe shqiptar. Vazhduesi i denjë i humoristëve shkodranë, si: Osos të Falltores, Kasem Xhrrit, Zef Hilë Gegës, Kolë Tivarit, Gjon Krajnit, Matish Prendushit, Ndoc Temalit, etj.
Ai e vlerësonte me korrektesë (sepse ishte korrekt) çdo detaj, çdo batutë. Vlerësonte grimin për të cilin punonte shumë në studion e tij. Siç thotë studiuesi dhe kritiku Miho Gjini: “Arti i aktorit Tano Banushi ka ngjyrat e veta origjinale. Në procesin e tij krijues gjejmë nota individuale.”
Duke shkruar më tej, si një vazhdim bisede, kujtoj ende ca fjalë e shprehje të Tanos (si një kujtim për të, si një mesazh, si një porosi miku, si një aktor brilant që ka ende fjalë të pathëna…): “Në rol edhe mustaku duhet me folë, dhe pantalloni, edhe kasketa e vume mënjanë, edhe parruka… ndoshta edhe ngjyra e kravatës.”
Shpesh herë pyesim e do të pyesim: Po kush ishte Tano Banushi? Aktori Bruno Shllaku e përcakton kështu: “Tanoja ka vlerën e veçantë të një kronikani serioz. Çdo ngjarje, çdo kritikë, çdo vlerësim, çdo korrigjim që kishte të bënte me skenën e teatrit të estradës, ai me kujdesin më të madh i fiksoi në letër duke na dhuruar një arkivë të pasur e të pashoqe. Më 7 Gusht 1993, aktori i madh, komiku i fundit klasik i traditës së vjetër shkodrane, u nda nga jeta. Ai do t’i thonte lamtumirën pa zë shtëpisë së madhe “Migjeni“. Një urdhër i “marrë” nuk lejoi homazhet në hollin qendror të teatrit Migjeni. Humorist i pashoq, i thjeshti në madhështi, mbi supet e miqve e të shokëve ikte pa humor në banesën e tij të fundit. Sipari ishte mbyllur për këtë kolos të humorit. Por askush s’do t’i besonte ngjarjeve në vijim…” E, ato ngjarje do të ishin të dhimbshme për Tanon, i cili me humorin e tij karakteristik thoshte kur doli në pension: “Me këtë xhaketë hyra në teatër, po me këtë xhaketë dola nga teatri”. E, në këtë hapësirë vitesh, në atë skenë magjike, thjeshtësisht por rrezatueshëm Artisti Tano Banushi gdhendi jetën e tij artistike, lavdishëm.