Ngjarjet kriminale në vend, Çela: Prokurorive u është thënë të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, duke komentuar ngjarjet kriminale në vend  tha se prokurorët kanë pasur gjithmonë mbështetjen për të vepruar në përputhje me ligjin, jo vetëm mbështetjen e Prokurorisë së Përgjithshme por dhe Policisë.

Në një prononcim për mediat pas konferencës ku u prezantua harta e re gjyqësore, Çela tha se me gjithë vështirësitë që sot kemi për përballimin e ngarkesës, mesazhi që u është dhënë prokurorive është që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda, ngjarjet që kërkojnë një angazhim tjetër.

Çela: Në të gjitha rastet që do të hetohen ngjarjet e rënda ka nevojë dhe për një angazhim  të SPAK për të vlerësuar elementët e krimit të organizuar në kryerjen e këtyre ngjarjeve. Ju siguroj se prokuroria pavarësisht mungesave vazhdon të kryejë plotësisht funksionet e veta kushtetuese dhe ligjore.