Ngjarja që tronditi Shkodrën, në 1944-ën/ “Kur gjermanët i kërkuan familjes së kushëririt tonë, që të dorëzonte djalin komunist, se ndryshe do i pushkatonin babanë me dy vëllezërit e tij, i biri….”

Shpërndaje

Nga SAMI REPISHTI

Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë!

Memorie.al /  Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuam, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

Nuk e pritsha nji shprehje të këtillë nga ai. Për vete, këto dyshime i kisha ushqye me kohë e, zhvillimet në vend, i konfirmojshin. Vendi jonë po zbriste nga platforma e nji vendi të okupuem që priste çlirimin, në sheshin e gjanë e të panjohun të përleshjeve ideologjike, me përmasa botnore. “Koalicioni anglo-sovjeto-amerikan” ishte “transformue” në “luftën vëllazërore të popujve jugosllavë”, ose “sovjetike” dhe “udhëheqjen gjeniale të shokut Tito e Stalin”.

Shqipnia ishte zanë keq në kurthin e këtij zhvillimi, e dukej qartë se, edhe kushërini im kishte fillue ta kuptonte. U largova pa dëshirë ta lejsha vetëm, e me shpresën, se do ta takojsha përsëri. Kur u përqafuem, ai më tha me za të ulët: “Në mes nesh”! e buzëqeshi. “Padyshim”!, përgjigja. Me kalimin e verës, gjendja u keqësue edhe ma shumë. Trupat gjermane tërhiqeshin nga Greqia. Luftimet me guerrilët shqiptarë, ishin të përditshme.

Në qytet u rritën vrasjet ordinere e, në kaosin e krijuem, komunistët ekzekutojshin elementët “armiq”. Aftësitë e tyne ushtarake, krijuen nji besim të patundun tek forcat, që “Lëvizja” u kishte dhanë. Tashma, nuk kishte fuqi të aftë me ndalue marshin e tyne. Pyetja se; çfarë “shteti” dhe “shoqnie” do të lindte nga metoda të këtilla, nuk shtrohej fare. Ishte e qartë, se; “Fitorja me çdo kusht”, donte të thonte, fitore pa asnji skrupull moral…! Nga ana e tyne, nazistët filluen arrestime të reja, e marrje pengjesh.

Në mes tyne ishin edhe prindët e kushërinit tim, baba dhe dy axhat. Ishin të martuem, me nëntë fëmijë. Nazistët kërkojshin dorëzimin e “djalit”, e kërcënojshin pengjet, me ekzekutim. Nji dilemë jashtëzakonisht e vështirë morale, u shtrue para kushërinit “ilegal”. U përpoqa me e takue, por pa sukses. I ballafaquem me rrezikun e ekzekutimit të babës dhe dy axhave, e lënien dy grave të veja, me nëntë fëmijë jetimë, kushërini nëntëmbëdhjetë vjeçar, përballoi burrnisht vdekjen e sigurt, e u dorëzue pranë autoriteteve të policisë pro-naziste.

Akti i tij vetëmohues, tronditi qytetin! Për mue, ndoshta personi ma i afërt e, që njihsha shumë mirë, ishte nji goditje vdeksore, por jo e papritun. Ky manifestim i karakterit të tij burrnor, ishte pjesë e personalitetit të tij, ashtu si e njoha unë. Ai i qëndronte besnik vetvetes, deri në fund, edhe para vdekjes së sigurt, edhe para skuadrës së ekzekutimit, në kampin nazist të shfarosjes…! Nji ditë ma vonë, i ngarkuem mbi nji kamion ushtarak gjerman, së bashku me nji familje izraelite nga Shkodra, u largue e nuk u kthye ma.

Ata që e panë, treguan se, gjatë rrugës, ngrente duart e lidhuna me pranga, sikur dëshironte më thanë se nuk kishte shpëtim. Ma vonë, u njoftuem se karvani kishte kalue nëpër Prishtinë, Beograd, e kishte përfundue në kampin nazist në Mathausen, në Austri ku, grupi nga Shkodra, ishte pushkatue. I dërrmuem nga zhdukja e tija e, i zhytun në lumin e kujtimeve që ndjekshin njeni-tjetrin, pa kontroll e natyrshëm, si rrjedha e ujit, kalova shumë ditë i mbyllun në shtëpi, pa ditë as unë, se ç’të bëjsha, pa gjetë nji shpjegim, për nji kthesë kaq banale të fatit, që i kushtoi jetën, nëntëmbëdhjetë vjeçarit idealist.

Nuk kisha guxim, as dëshirë, me takue prindët e tij, që u çmendën nga humbja e djalit. Nuk gjejsha fjalë me thanë. Por, ma e vështira ishte, nji lloj fryme akuzuese, e padrejtë, që fillova të ushqej kundër tyne. Ideja se ai ishte dorëzue me shpëtue tre prind nga vdekja e sigurt, e nëntë jetimë nga mjerimi, më forcoi edhe ma shumë bindjen time, në fortësinë e karakterit të tij e, në cilësinë e idealizmit, që kishte pranue sakrificën supreme, për akuzën që shërbente. Shpeshherë mendojsha se, nji qenie aq e sjellshme si ai, aq sensitive si ai, mund të gjindej në nji pozitë të vështirë, si para eventualitetit të sakrificës së jetës.

Megjithatë, diçka përbrenda më thonte se, bindja e tij, për drejtësinë e kauzës që kishte përqafue, për atë, ishte ma e shtrenjtë se jeta. Kishte diçka ma sublime në aktin e tij, e gjesti i tij me u dorëzue “vullnetarisht”, me shpëtue jetët e pafajshme që po sakrifikoheshin për atë, me forcë, e jo me ndërgjegje, merrte nji shkëlqim të jashtëzakonshëm martirizimi, nji guxim me përmasa mbinjerëzore, e mveshej me kuptimin gjysmëhyjnuer, që u japim heronjve legjendare…!

Ngjarjet e çdo ditë e bajshin ma të vështirë për mue, me kuptue çmimin që kërkohej nga të gjithë, në rëndësinë e kauzës kombëtare, që çmohej ma shumë se jeta e të rijve, angazhimi pa kondita për “reforma” shoqnore që, kërkojshin shkatërrimin e rendit të vjetër e, ndërtimin e nji rendi të ri, me marshim mbi trupat e dëshmorëve, sidomos të rinjve që rrëzoheshin çdo ditë, në të katër anët e vendit tonë. Ishte e vështirë me kuptue se, shejtnia e jetës së njeriut, zente vendin e dytë, në shërbim të nji “ideje”, që naltësonte shpirtnisht e udhëhiqte moralisht, por që “pranonte”, edhe zhdukjen fizike.

Cila ide mund të ishte aq e naltë, aq fisnike dhe e drejtë, saqë në fisnikërinë e saj imanente, të kërkonte sakrifica njerëzore e sidomos, sakrifica të jetëve rinore?! “Ide” të këtilla, më dukeshin tashti si monstrat mishngrënës, që përpijnë fëmijët e tyne për ushqim. A përsërisim sot, me nji gjuhë moderne, legjendat e lashtësisë, theroritë e kurbanet, në altarin e zotave të zemruem, për paqësimin e tyne?

Kështu fitohet liria e popullsisë së pafajshmen, nga nama e njenit ose tjetrit hyjni, që gjithherë nënçmojnë mortalitetin e qenieve tokësore?! Sa shumë e ka avancue kauzën e “revolucionit proletar”, akti heroik e i vetmuem, i kushërinit tim fisnik, që nuk kthehet ma? E sa ma i dobishëm do të jetë ky “revolucion”, mbas vdekjes së tij…? Madhështia e nji akti të këtillë mbinjerëzor, tejkalonte kufijtë e së natyrshmes, tejkalonte forcën e pakufishme e banale të perëndive hakmarrëse, që kërkojnë flijime, tejkalonte randësinë e çdo kauzë, që ushqehet me gjak njeriu, sidomos atë të rinisë së parritun akoma.

Akti i kushërinit, ishte i një cilësie të veçantë, i pakrahasueshëm, nji akt prometean! 28 nanduer 1944. Ditë e bukur vjeshte! Gjatë natës së mëparshme, u ndigjuen, aty-këtu, krisma pushkësh. Duket se qytetarët festojshin, ditën e largimit të pushtuesit gjerman nga qyteti i Shkodrës. Në mëngjes, nji popull i tanë filloi të mbushë rrugët kryesore. Turma drejtohej kah qendra e qytetit. Aty-këtu, shiheshin te rij me armë e rrobe partizane, që përshëndeteshin me grusht: “Vdekje fashizmit”!

Nji frymë lirie ishte në ajër, e të gjithë, të nxitun nga randësia e momentit e kurioziteti me pa “ilegalët”, flitshin me nxehtësi. Disa tregojshin episode të luftës, të tjerë ishin krenarë për strehimin e dhanun “ilegalëve”, prind e familjarë të partizanëve, përqafojshin njeni-tjetrin e përgëzoheshin për fitoren e djelmve e vajzave të tyne. Ishte hera e parë në historinë e qytetit tonë që, vajzat largoheshin nga shtëpia e angazhoheshin në veprimtari politike, të pavaruna, e për ma tepër, “ilegale” e me karakter ushtarak.

Koncepti i rolit të femnës shqiptare, të kufizueme në shtëpi, brenda familjes, që për shekuj kishte qenë nji nga shtyllat ma të qëndrueshme të shoqnisë konservative shqiptare e sidomos, shkodrane, u përmbys nga vala e revolucionit politiko-shoqnor, që prunë partizanët. “Shokë e shoqe”, për të parën herë viheshin në nji piedestal të barabartë, me rrjedhime madhore për të ardhmen e vendit e, të shoqnisë shqiptare.

Në qëndrimin e shumicës, kjo ngjarje e jashtëzakonshme, shoqnohej nga frika e së panjohunës. Kush janë “fitimtarët”, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri, që premtohej, por që nuk njihej nga shumica?! Numri i tyne ishte i vogël, e kaluemja e tyne jo e qartë e në disa raste, shqetësuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e përdoruna deri tashti, ishin të ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy regjimeve të urrejtun, shoqnia shqiptare, priste me padurim nji periudhë paqeje e sigurie, që të shijonte lirinë e porsafitueme.

Nji ndjenjë instinktive, e pashpjegueshme, por e pranishme kudo dhe tek të gjithë, e frikës se po hyjshim në nji tunel, dritën e së cilit nuk e shihshim, ishte në mendjen e zemrën e shumicës së atyne që ecshin, vrapojshin e grumbulloheshin, në sheshin qendror të qytetit. Psikologjia e masave të nji qyteti si Shkodra, që kishte pësue invazione të njimbasnjishme nga fqinjit e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte, të nji bashkëpunimi të ngushtë me “vllaznit tonë jugosllavë”, e aq ma pak, praninë e “instruktorëve” serbë e malazezë, në të gjithë sektorët e jetës shtetnore të vendit.

Mentalitete të vjetrueme, për nji epoke të re?! Ndoshta. Por ata ishin mjaft të fuqishme, sa të mos lejojshin pranimin e tyne, pa kalue në bankën e dyshimit të thellë….e të justifikuem historikisht. Në qendër të qytetit, civilë të armatosun mbajshin rrugën të hapun, për “parakalimin e njësiteve guerile e batalioneve të çlirimit”. Të gjithë flasin; askush nuk ndigjon. Turma rritet çdo minut. Nga rrethet e qytetit e sidomos, nga zonat e veriut, që kufizohen me Malin e Zi, malësorë të armatosun ose grupe pa armë, bashkoheshin me turmën qytetare.

Nga ata kuptuem se forcat gjermane, ishin tërheqë e kalue kufinin te Hani i Hotit, e forcat partizane, shqiptarë e malazezë, kontrollojshin rrugën kryesore, deri në qytetin e vogël të Tuzit, në Jugosllavi. Lajme të ndryshme, shumica të pavërtetueme, qarkullojshin gojë me gojë e, vesh në vesh. Në hymje të qytetit, njisitet luftarake përgatiteshin me ardhë në formacione ushtarake. Nji bandë muzikore, ajo e bashkisë, lueate me marshe të zgjedhuna për parakalim.

Zuna nji vend të përshtatshëm, para lulishtes qendrore, nga ku do të isha në gjendje me pa për së afërmi parakalimin e mundësisht, disa nga shokët e mi partizanë. Me përvojë time, gjatë luftës, isha ba mjaft cinik; më dukej sikur përpiqesha me bindë veten se; “të nesërmet premtuese”, që kishim shpresue, nuk ishin veçse nji ëndërr djaloshare që avullonte si vesa para diellit. Në brendinë time, nji debat serioz, i thellë, po zhvillohej për mjaft kohë. Zani i ndërgjegjes, nuk më lente të qetë: “Ky asht roli yt në këto çaste vendimtare, vendi yt në këtë ditë historike, kontributi yt për kauzën e lirisë kombëtare”?! Heshtje…!

Ndryshimet e sjelluna prej luftës, parashikoheshin të ishin revolucionare e përmbysja, nji kataklizëm. Tashti, kishte “aktivistë” dhe “armiq”, pa shpresë mirëkuptimi të ndërsjellë. Zani i zemrës, më ngushëllonte me idenë se, qëndrimi im ishte marrë me sinqeritetin ma të plotë, pa mbrapamendime, me kënaqë ose shqetësue njeri dhe se, në përfundim të dialogut të brendshëm, ndërgjegjja ime ishte e qetë. Kjo çiltërsi e arritun, ishte kthye në nji fortesë të vërtetë, brenda së cilës ndjehesha i sigurt. Kisha përshtypjen se, breznia ime ishte e para në historinë e vendit, që ballafaqohej me nji dilemë të këtillë.

                                                                         ***

Ndigjoheshin tingujt e bandës muzikore. Duartrokitje! Nga larg vijshin tonet e kangëve të reja partizane. Pa vonesë, hyjnë në sheshin e qytetit, grupet e para të “njësiteve guerile“, të prime prej flamurit kombëtar kuq-e-zi që, kësaj radhe, mbante drapënin me çekan, ose yllin e kuq me pesë cepa…! Ishte nji zhgënjim! Në radhët e partizanëve me uniforma, pashë disa prej shokëve të mi të shkollës. Dukeshin të lodhun, e vuatja shihej qartë në fytyrat e tyne. Por të gjithë, ishin të ekzaltuem. Ecshin me krenari, pushkën në krah, shikimin përpara plot besim. Disa më buzëqeshën kur i përshëndeta me dorë; të tjerët nuk reaguan fare.

Por prania e tyne, në këtë masë vullnetarësh, i bante ata ma të mëdhaj, se epesha e secilit në vete. Ata ishin pjesë e nji grupi shoqnor që i përfaqësonte, që kishte dalë fitimtar e, që angazhohej me ndërtue nji jetë të re, me plotësim dëshirash. Fjalime, përsëri fjalime. Me mbarimin e ceremonisë, u ktheva në shtëpi. Në këtë atmosferë festive, u ndijsha i vetëm. Nuk isha pjesë e nji procesi historik të vendit e të popullit tim, ditën e lirimit nga i hueji, nuk kisha kapë njenën nga orët më të ndrituna në histori, orët që ballafaqojmë vetëm nji herë në jetët tona. Kisha humbë këtë moment të privilegjuem…!

                                                                           ***

“Marrja e pushtetit”, nuk u ba me dhunë, sepse nuk u kundërshtue. Administrata e vendit, deri në atë ditë në shërbim të “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, u vue në shërbim të “autoritetit partizan”. Në Shkodër, me përjashtim të ndërpremjes së energjisë elektrike, shërbimet bashkiake, vazhduen pothuajse të patrazueme. Rrugët e qytetit filluan të mbushen me partizanë, të brigadave të ardhuna nga jugu i vendit. Për mungesë vendi e organizimi, me mijëra u vendosën në shtëpi qytetarësh, që i ushqejshin edhe me bukë. Edhe në shtëpinë time, kishim njëmbëdhjetë ushtarë.

Bante të ftohtë! Të lodhun nga marshimet, të këputun nga uria, këta të rij, pothuajse të gjithë nën moshën njëzet vjeçarë, strukeshin nën batanijet ushtarake, në çdo kand të dhomës, e përpiqeshin me fjetë, sa ma shumë, sa ma thellë. Ishte nji pamje që më preku në zemër. Në bisedimet me këta partizanë, nuk gjeta asnji entuziazëm. Përkundrazi! Nji botë e re shpalosej nga tregimet e tyne. Pothuajse të gjithë ishin “mobilizue” në katundet e tyne. Ruheshin nga “komandanti” e “komisari”. Të gjithë kishin “historira” me tregue e sidomos, për ekzekutimet masive ne katundet malore.

Nji ngjarje e shëmtueme në qendër të qytetit, ra si bomba e parë që zgjoi qytetarët, sinjali i parë i asaj që do të vinte ma vonë. Nji grup “bashkëpunëtorësh” me okupatorin, u ekzekutuen publikisht, në sheshin kryesor. Lajmi u përhap si rrufeja e, u prit me nji mosbesim të thellë. Në vendin e ngjarjes, pashë kufomat e përgjakuna, të rreshtueme njëna pas tjetrës. Të gjithë ishin me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne, grupe partizanësh hidhshin valle, me nji ritëm që shoqnohej me kangën, e re për mue: “Lule Sofo, lule djalë”!

Nji turmë qytetarësh të heshtun, vështronte me tmerr këtë masakër: ekzekutime publike, si mbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Ishte shija e parë e shoqnisë së re…! Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikur kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, “djallëzimi” i kundërshtarit, që paraqitej e trajtohej si “armik” e kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik, ishte përfundimi logjik! Nuk ishte vetëm akti i ekzekutimit të “bashkëpunëtoreve”, që tronditi qytetin.

Ishte mënyra e këtij ekzekutimi, që tregonte nji mospërfillje për shtetin ligjor e që praktikisht, ishte edhe nji mospërfillje për ndjenjat e qytetarëve. Gjithçka ishte e llogaritun me krijue atmosferën e frikës, e me përgatitë terrenin psikologjik, për terrorin masiv që planifikohej. Kundërshtimet e vazhdueshme që ballafaqoi “pushteti i ri”, sidomos në zonat malore, së bashku me nji ftohje të popullsisë qytetare, nga manifestimet publike e të organizueme prej qeveritarëve të rij, mjaftuan me bindë udhëheqjen qendrore në Tiranë, që të deklarohet “gjendja e jashtëzakonshme” për qytetin e rrethet e Shkodrës.

Çdo ditë, në shtyllat telefonike e dritoret e dyqaneve, vendoseshin lista të gjata me emna malësorësh të ekzekutuem, ose të dënuem me vjet të gjata burgu, për “bashkëpunim” me “armiqtë e popullit”! Ndamja në dy kampe, u ba çdo ditë ma e thellë, ma e plotë. Që në fillim, u ba e qartë se beteja për mendjet e zemrat e qytetarëve, nuk ishte nji përparësi për “pushtetin” e ri e, si rrjedhim, ajo ishte e humbun. Çka interesonte “pushtetin”, ishte përforcimi i tij me çdo mjet e, mbajtja e tij me çdo kusht. Në listën e “bashkëpunëtorëve”, kishte edhe elementë, me të vërtetë, tragjike: përpjekje qëllim-mira dhe të guximshme me ballafaque “fatin” – zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë e jashtë kontrollit të vendit tonë.

Ishin forcat e brendshme, mbështetë në nji traditë shekullore, që mundeshin nga lëvizjet e reja pa histori në atë vend, e të drejtueme nga forca që gjendeshin jashtë vendit. Përfundimi i këtyne viktimave, të nji fati që manovronte, pa pyet e pa u kujdesë, ishte në thelb, treguesi i perëndimit të sistemit të vjetër, i perëndimit të paevitueshëm të nji bote që, akoma merrej vetëm me ruajtjen e privilegjeve të trashëgueme, pa perspektivë për të ardhmen! Nji klasë shoqnore shkodrane, dikur e privilegjueme dhe e fuqishme, ma vonë dërrmue prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqnore e katalizmave të luftës, po avullohej pa lanë trashëgimtarë për zëvendësim.

Boshllëku i mbetun ishte i madh e frikësues, në atë fazë vendimtare. Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “armiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë, nji grup malësorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rinjsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje tradhtarëve! Vdekje tradhtarëve”! Të arrestuemt, burra të gjatë, përfaqësues të denjë të racës ilire, që u ruejt për shekuj në naltësitë e Alpeve të veriut, shikojshin me çudi këtë komedi funebre e, turmat e mbledhuna në të dy anët e bulevardit, të heshtuna, të habituna, të frikësueme.

Frika e ushtrueme nga partizanët, po jepte frytet e saj të para: nji popullsi e tanë zhvishej nga guximi qytetar tradicional! Sereniteti i fytyrës së viktimave, të lidhuna e të përbuzuna, që drejtoheshin kah vdekja e sigurt, nuk mund të ishte pasqyra e nji ndërgjegjeje të keqe…! Përkundrazi! Në zemër të tyne ata duhet të kenë ndie veten, si viktima të nji ndëshkimi të padrejtë. Vetëm ideja e viktimizimit, e pafajnisë, lejon nji serenitet të këtillë. Gjate ekzistencës së tyne, këta malësor të Kelmendit kishin pranue si qëllim të jetës, ashtu si të parët e tyne, rolin e ruajtjes së kufijve të Vermoshit nga sulmet malazeze, për shekuj me radhë. Historia ishte dëshmitare!

Çdo lëvizje e veprimtari politike, ishte shikue e përcaktue, në termat e këtij qëndrimi atdhetar të padiskutueshëm. Ky ishte shpjegimi i vetëm i kundërshtimit të tyne me armë, të “brigadave partizane“ shqiptaro-malazeze, në vjetin 1944-‘45. Ky ishte shpjegimi i vetëm që ata iu “dorëzuen vllazënve tonë“, autoriteteve ushtarake shqiptare, si dhe naiviteti i përgjigjeve të tyne para Gjykatës Ushtarake, që nuk kuptonte e si rrjedhim, i trajtonte si “tradhtarë”! Pse nuk kishin ndihmue “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare?“ Sepse ishte e lidhun me serbët e malazezët, armiqtë tonë shekullorë.

Pse kishin rrokë armët kundër “brigadave tona”? Sepse bashkëpunojshin me brigadat serbë e malazezë, e nuk u kishim besën. Pse i nënshtroheshin influencës së Klerit Katolik? Sepse ata kanë qenë gjithmonë me ne, në të mirë e në të keq…! Madhështia e malësorit te çiltër shqiptar, ngrihej para Gjykatës, si monument që dëshmonte vogëlsinë e mendjemëdhenjve komunistë, në pozitën e gjykatësit. Epërsia morale e qëndrimit të viktimës, ishte i qartë edhe para tragjedisë që përgatitej pa turp, nga nji udhëheqje servile e interesave të huaja, nji udhëheqje e degjenerueme nga epshi për pushtet të pakufi.

E gjithë seanca e gjyqit, sidomos me ata të moshës së kalueme, u përshkue nga nji vijë kombëtare, parimore, e drejtë, e malësorëve të thjeshtë, në përleshje me vijën politike të lëvizjes internacionaliste që imponohej me gjak mbi popullsinë që e përbuzte. Pyetjet e egra e kërcënuese merrshin përgjigjen e thjeshtë e të njerëzishme të malësorëve, të bindun në drejtësinë e kauzës së tyne. Edhe kur u dha dënimi me vdekje, ata nuk u tronditën, megjithëse nuk arrijshin me kuptue, si mund të dënohet nga shqiptari, nji shqiptar që ka mbrojt tokën shqiptare brez mbas brezi! Shikojshin rreth e rrotull, sikur pritshin që “populli Shkodrës” të thonte diçka për ata, për të kaluemen e tyne, për pafajninë e tyne.

Shkodranët, që njihshin mirë historinë e tyne, u befasuan nga britmat histerike në sallë, të publikut të zgjedhun, që shpërthyen, si me urdhën, kundër “kriminelëve”, tue kërkue me kambëngulje ekzekutimin e tyne, sa ma parë. Populli i Shkodrës ishte përçudnue… ose strukë në shtëpi, i frikësuem deri në palc. “Shkodrës i kishte vdekë ora!”. Ishte pasqyra e nji përmbysjeje të plotë politike, si rrjedhim i ngurtësimit të ngadalshëm moral që kishte pësue shoqnia shqiptare, sidomos gjatë vjetëve të luftës…! Ekzekutimet, me gjyq e pa gjyq, bashkë me viktimën, vritshin edhe vetë idenë e “revolucionit çlirimtar”, idenë e lirisë dhe premtimin për nji botë ma të mirë që do të sillte revolucioni.

Ekzekutimet e njollosën “revolucionin”, e nxinë imazhin e tij, e asgjasuen atë. Sepse, zemrat dhe shpirtet e shumicës së heshtun, filluan të kalbëzohen, bashkë me kufomat që shtriheshin pa jetë nëpër rrugët e katundit, në sheshet e qytetit, në poligonet e qitjes ushtarake e të ekzekutimit. Kudo të shihte syni kufoma, të mbulueme e të pambulueme, gjithherë aty para syve të të gjithëve, si përmendore kokëforta për ata që ende jetojshin, e tregojshin sa i rëndë ishte çmimi i krimit e sa i boshatisun ishte koncepti i nji revolucioni pa mëshirë e pa zemërgjanësi!/Memorie.al

Shpërndaje