Vala e rritjes së pagave duket se kaloi dhe tani ritmet e rritjes janë kthyer në normalitet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se paga mesatare mujore bruto (paga zyrtare e deklaruar në Tatime) arriti në 75,114 lekë në tremujorin e dytë ose 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahasim me tremujorin e parë 2024 rritja ishte vetëm 2% njësoj sa inflacioni.
Rritja më e lartë ishte në sektorin privat me 6.7%, ndërsa në sektorin publik pagat u rritën vetëm 1.8%.
Siç shihet edhe në grafikun bashkëngjitur pati rritje agresive të pagave ndërmjet tremujorit të dytë 2021 deri në fund të 2023.
Këto zhvillime u nxitën nga rritja e pagave në sektorin publik, sidomos pagës minimale e cila u rrit katër herë ndërmjet tremujorit të dytë 2022 deri në fund të vitit 2023.
Niveli i pagës minimale në këtë periudhë arriti nga 30 mijë në 40 mijë lekë. Kjo rritje nxit në paga më të larta në të gjithë nivelet e stimuluar edhe nga politika e qeverisë për të çuar pagën mesatare në sektorin publik në rreth 900 euro.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tremujorit të dytë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe informacioni dhe Komunikacioni.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2024 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ka rritjen më të madhe prej 11,4%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 3 %.
Gjatë tremujorit të dytë 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.
Rritja e pagave pas vitit 2021 ne sektorin privat është nxitur edhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Kompanitë aplikuan politika të reja për burimet njerëzore duke përfshirë edhe pagat si stimuj për të mbajtur punonjësit.
Mirëpo zhvillimet në kursin e këmbimit kanë dëmtuar fitimet e fabrikave për eksport që janë edhe punëdhënësit më të mëdhenj të punësimit me pagë.
Dëmtimi i industrisë përveçse ka frenuar rritjen e pagave ka krijuar edhe papunësi në qytetet kryesore./Monitor/