Nga ZIJA VUKAJ: Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë, përpara drejt lirisë…

Shpërndaje

Dhe drit’ e diturisë
përpara do na shpjerë,
përpara drejt lirisë.

Çdo fillim viti shkollor është ora e ndërgjegjes për të gjithë ata që kanë pasur punë me shkollën dhe arsimin. Është refleksion, meditim, angazhim, nostalgji, shqetësim etj. Disa prej nesh, fillimet e viteve shkollore i kanë pasë nëpër malet e atdheut, në ato kushte të vështira që shumëkush i di. Dikur shkolla fillonte më 1 shtator. Kjo datë, për shumëkënd, ishte osmoza e dy gjendjeve. E optimizmit futurist të fillimit të një viti të ri dhe çasti i trishtë i ndarjes javore nga familja, e cila do të takohej vetëm të shtunave.

Sot ky realitet është i panjohur dhe le të mbetet i tillë për brezat fatlumë të mësimdhënësve kontemporanë, paçka se tek ne ka lënë vragat e pashlyeshme me të cilat do ta mbyllim karrierën dhe jetën. Por ç’rëndësi ka kjo. Sakrificat kanë kuptim. Janë investimi për brezat që vijnë. Kush u sakrifikua dhe s’u gëzua, që qenia e tij kaloi në hiç për të mirën e arsimit shqiptar. “Për ditët e lumtura që gëzojmë ne sot”- na thoshin librat e dikurshëm të këndimit. Shpesh guxoj të pyes veten: Cili është funksioni i shkollës së sotme, pra shkolla është shkollë apo azil? Pse është kaq i gjatë cikli i shkollimit, kur gjithë kjo kohë nuk i shërben përvetësimit të njohurive? Pse kaq shumë shkolla të mesme e të larta? Pse nuk u sigurohet shtetasve e drejta për të marrë patentën, për të punuar kamarier, roje, punonjës lavazhi etj., etj. edhe me cikël fillor? Pse i nxisim fëmijët tanë të pajisen me dëftesa fiktive, me nota fiktive, me dëshmi fiktive, me mastera fiktivë, me doktoratura fiktive? Pse i ndetyrojmë mësuesit tanë të plotësojnë dokumentacione të gënjeshtërta, të bëjnë projekte fiktive, të bëjnë motivime fiktive notash, të plotësojnë statistika fiktive, të blejnë kredite fiktive nga agjenci fiktive shitjesh fiktive të krediteve fantazmë. Pse krijojmë rrjete fiktive profesionale, me veprimtarë e veprimtari fiktive dhe lumturi fiktive e togje letrash e të dhënash fiktive? Sa herë mendoj për arsimin më kujtohet edhe gjuha shqipe. Më sillen në mendje themeluesit e saj, që janë edhe korifejtë e arsimit, themeluesit e terminologjisë me fjalë të brumit shqip, në emër të ruajtjes së pastërtisë së gjuhës. Ja disa nga fjalët që krijuan apo kalkuan mjeshtrit e asaj kohe: arsim, fillore, fletore, abetare, nyjë, rasë, trajtë, i shquar, i pashquar, përemër, mbiemër, ndajfolje, paskajore, përcjellore, pjesore, lakim, zgjedhim, hartim, kontroll frontal, djathtësi, shkathtësi, aftësi etj., etj. Sa e turpshme ngjan sot përdorimi i fjalëve: kompetencë, performancë, modul, piar, kllaster, brainstorming e qindra majmunepsje të tjera, përkthyer prej mediokërve që nuk njohin shqipen. Kohët e fundit kam lexuar shqetësime të prindërve për nivelet e vajtueshme të teksteve shkollore, hartuar nga pseudospecialistë që marrin përsipër barrë më të rënda se shpatullat e tyre distrofike.
Ky vit është më i vështirë, për shkak të kushteve të pazakonta. Të gjithë e dimë dhe të gjithë urojmë të kthehemi në atë normalitetin tonë aq sa e kemi pasur dhe e kemi. Por të gjithë e kemi mundësinë të japim maksimumin tonë, pa patetizma dhe emfaza të dalaboje, por me idealizëm e me shpresë në dritën e diturisë dhe të dashurisë për Shqipërinë dhe brezat tanë të çmuar. Respekte për të gjithë ju kolegë të nderuar
Një vit i mbarë shkollor!

Shpërndaje