RAMAZANI, PËRSE ËSHTË MUAJ I BEKUAR…
-ese-
Në fjalët e urta të dijetarëve islamë, në shprehjet proverbiale, në shumë mirësitë e fjalëve që shtohen çdo ditë e çdo vit për Ramazanin, në vlerësimin e tij shkëlqen dhe rrezaton maksima: “Ramazani është Muaj i Bekuar!”
Është muaj që në qiellin e zemrave të secilit Bekimet dhe Urimet rrjedhin parreshtur… Të pastra dhe të ëndërrta! Bekojnë njerëzit njëri-tjetrin, bekojnë gjyshërit dhe gjyshet njëri-tjetrin dhe njëkohësisht nipat dhe mbesat, bekon familja anëtarët e saj, bekon, bekon, bekon…
Në këto ditë të bekuara sikur njeriu ka një “pozicionim” të ri ndaj vetes, një vlerësim të ri, një gjykim të ri…, larg të përditshmes së zakonshme, larg ritualit të ditës e të çdo dite… Sikur është një tjetër jetë, një tjetër lumturi aty te vatra kur mblidhesh me të dashurit e zemrës…
Çdo ditë e Ramazanit fillon me bekime… E bekimet fillojnë nga zemra, nga shpirti. Nuk janë shumë festa me tipologji të tillë në botë dhe në rrugëtimin e vërtetë të njeriut për t’u bërë i vërtetë. Një ditë si çdo ditë e Ramazanit fillon me bekim e mbaron me bekim. E në këtë dritësim bekimesh lulëzojnë: gëzime pafund, dritësime pafund, rrezatime pafund, dlirësi e pastërti pafund, virtyte të çmueshme pafund…
Çdo gjë në ditët e Ramazanit, me mirësinë e Allahut është e pafund… Edhe njerëzillëku, edhe komunikimi i zemrave, edhe bamirësia… edhe… është e pafund, sepse fillon nga shpirti. Kjo copëz jete që quhet Ramazan dhe ka shenjtërinë e saj, fillon dhe jeton si copëz jete brenda shpirtit tënd. Jetoje! Ndaj, ne jemi përgjegjës që ajo copëz jete e çmuar të mos vyshket, por të gjelbërojë përjetësisht. Sepse në atë copëz jete bashkëudhëtojnë e shpesh njëjtësohen njerëzorja me hyjnoren. E ta mbash këtë çmueshmëri brenda shpirtit tënd, do të thotë ditës dhe njerëzve t’u rrëfesh e t’u falësh mirësi, dritë, ngazëllim, dashuri… që, shpesh, në jetën tonë edhe mungon. Është t’u falësh bekim nga bekimet e Ramazanit!
Bekim, Muaj i bekuar i Ramazanit!
Mendoni një çast sikur të jeni nën qiellin e bekuar të Qabes së Madhnueshme, nën diellin rezëllitës e rrëzëshpresës të bekuar të saj … Ato bekime janë për jetën e njeriut, për lumturinë e tij! Mendojeni një çast këtë BEKIM, thirreni, bëjeni pjesë të shpirtit dhe zemrës, dhe filloni ditën… Sa e bukur do të jetë ajo! E filloni, me këtë komunikimin me familjarët e tu, me të afërmit e më gjerë… Sa i bukur dhe frytëdhënës do të jetë ai… Por sa jetë do t’i shtoni jetës së bekuar !.. Vetë lumturia është BEKIM!..
Paçi BEKIMIN e muajit të BEKUAR të RAMAZANIT!
Shkodër, më 12.04.2021 | Xhahid Bushati, shkrimtar.