Nga Astrit Jusuf Jegeni
Memorie.al/Të shkruash historinë e personaliteteve shqiptare që kanë qenë personazhe të dorës së parë në historinë e Shqipërisë së kohës së re, nuk është e lehtë, biles do të thoja se është mjaft e vështirë. Prezenca e fuqishme e mendësisë dhe psikologjisë komuniste, e cila me inferioritetin e saj jo qytetërues, e me shpirt-ligësinë e inferioritetit në pushtet, shkatërroi, la në harresë e denigroi të kaluarën historike të klasës borgjeze shqiptare, shpërfilli vlerat e intelektualizmit të kësaj klase, e cila me vlerat dhe mos vlerat e saj, ka autorësinë e bërjes të këtij shteti që ne kemi sot., ka autorësinë e zhvillimit të këtij shteti në vite, ka vulën e vet në zhvillimin historik të kombit shqiptar. Është e dhimbshme dhe e trishtueshme për historinë dhe zhvillimin shoqëror të racës shqiptare ai denigrim i qëllimshëm i rolit dhe i peshës reale që klasa borgjeze shqiptare ka luajtur në histori. Kur marr përsipër të shkruaj për figurat e klasës borgjeze shqiptare dhe rolin e tyre në zhvillimet politike të Shqipërisë, nisem vetëm nga një qëllim, të përshkruaj vetëm realitetin historik e moral të këtyre figurave në zhvillimet shoqërore të Shqipërisë. Në këtë kontekst logjik po shkruajmë për lexuesit tanë këtë studim për zotin Sheuqet Muka.
Janë shfrytëzuar materialet dokumentare të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Dosja me numër arkivor 1162/a. Nuk pretendojmë të japim gjithçka në këtë shkrim për figurën e lartpërmendur, por kemi kënaqësi ta bëjmë publik dokumentacionin që disponojmë për këtë figurë politike shoqërore, që ky personazh i historisë shqiptare të zërë vendin që meriton në altarin e shqiptarëve, që bënë sa ditën e sa mundën për të mirën e vendit të vet. Në këtë shkrim do të shkruajmë vetëm për atë periudhë kohore që zoti Sheuqet Muka u vendos përpara mendësisë së drejtësisë komuniste, e cila me brutalitetin e saj tipik, shpërfillte çdo vlerë intelektuale e kombëtare dhe u përpoq jo pa sukses të shkatërronte këto vlera në emër të një shoqërie të re. Në fakt, ata njerëz që pretendonin se ishin komunistë, nuk kishin një vizion të qartë se ç’kërkonin dhe ç’rrugë të ndiqnin për të arritur qëllimet e tyre. Të pajisur nga natyra me një instikt të fuqishëm, për të mos pranuar realitetin e jetës së tyre, e cila ishte shumë e vështirë dhe s’ishte për t’u lakmuar, ata u kapën fort mbas slloganeve komuniste dhe me një xhelozi të egër shtypnin me këmbë çdo njeri që ata e përfytyronin se e kishin kundërshtar. Të paformuar intelektualisht, të pajisur me një edukatë të dobët morale e shoqërore, ata u bënë shumë të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, e cila nuk pati forcë ta kontrollonte dhe ta përpunonte për të mirë këtë kah të zhvillimit të keq shoqëror, që Shqipëria përjetoi.
Edukata e tij familjare dhe arsimimi i tij ishin shtysa që ai të merrte pjesë aktive në të gjitha ngjarjet politike që kalonte populli shqiptar. Veprimtaria e tij në politikën shqiptare bëri që të konsiderohej nga komunistët që kishin marrë pushtetin, si kundërshtar i tyre dhe ata nuk hezituan ta arrestojnë në datën 21.10.1946. Për të dhënë një imazh të drejtë të situatës politike të asaj kohe dhe atë atmosferë psikologjike që mbizotëronte në shoqërinë shqiptare, po japim të plotë të gjitha akuzat që Prokurori ushtarak, KAPITENI Namik Qemali, shqiptoi për Sheuqet Mukën:
Ka organizuar organizatën “Besëlidhja shqiptare”.
Ka qenë një nga militantët më besnikë të Ahmet Zogut.
Gjatë okupacionit ka qenë nëpunës në aparatin fashist.
Ka shtruar nevojën e bashkimit të popullit për mbrojtjen e kufijve nga serbët.
Ka qenë mik e bashkëpunëtor i Abaz Kupit e Xhemal Naipit, ka marrë pjesë në mbledhje.
Ka shkuar në krahina të ndryshme për të mobilizuar popullin kundër Nacional-Çlirimtares.
Ka shkuar shpesh në Tiranë, në Regjencë dhe në qeveri tek Patër Anton Arapi e Mehdi Frashëri, si dhe tek Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva, të cilëve u ka ofruar ndihmë për të bërë operacione në popull.
Ka organizuar lidhje me krerët tradhtarë të Prizrenit, me të cilët ka këmbyer delegacione për të kombinuar luftën kundër popullit.
Mbas çlirimit arratiset dhe është përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor. Akuzat e formuluara nga “i nderuari” prokuror i çështjes nuk përbëjnë ndjekje penale, thjesht, në të ka vetëm urrejtje për përfaqësuesit e klasës borgjeze, të cilët duhet të dënoheshin me çdo kusht. Një njeri normal, kur lexon këto akuza i duken absurd që ky njeri është thirrur nga drejtësia komuniste dhe s’mund të kuptojë se përse prokurori kërkoi nga Trupi Gjykues dënimin me vdekje për z. Sheuqet Muka.
Gjykata Ushtarake e Shkodrës në datën 23.6.1947, me vendim nr.195 e dënon Sheuqet Mukën me burgim të përjetshëm.
Anti humanizmi i komunistëve shqiptarë nuk ka kufi. Për të argumentuar këtë pervesitet konstant që kishin për kundërshtarët e tyre, po shkruajmë dokumentin që disponojmë, ku flitet për një opinion që administrata e burgut shkroi për z. Shefqet Muka, me rastin e një kërkese nga ana e këtij të fundit për t’u liruar nga burgu para kohe me kusht. Theksojmë se personazhi ynë kishte kaluar dhjetë vjet të jetës së tij në burgjet-ferr të shoqërisë së re socialiste. Po japim tekstin si më poshtë.
Opinion për të dënuarin Sheuqet Muka
Sheuqet Muka, i biri i Ahmetit dhe i Fatimes, i datëlindjes 1887, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, në lagjen Parrucë, i martuar, arsimi – gjimnaz, profesioni kryesor-N/punës, rrjedh nga një shtresë qytetare e pasur me shtetësi e kombësi shqiptare.
Është arrestuar me datën 21.10.1946 dhe i dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës me burgim të përjetshëm me vendim nr.195, date 21.6.1947 për faje se ka bashkëpunuar me okupatorin fashist dhe tradhtarët duke penguar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Ka qenë anëtar i organizatës tradhtare “Besa Shqiptare”.
Dënimi i të lartpërmendurit në bazë të kodit të ri penal i është zbritur nga përjetë, në 25 vjet. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit i përmenduri nuk ka pasur sjellje të mira, rregullat e burgut nuk i ka zbatuar aq sa duhet, nuk tregohet i penduar dhe, as që i ka bërë efekt dënimi. Për këto arsye, duke patur parasysh edhe të kaluarën e tij jo të mirë, Komisioni, i mbledhur për shqyrtimin e lutjeve të të dënuarve nuk është i mendimit që i lartpërmenduri të lirohet nga burgu para vuajtjes së plotë të dënimit, mbasi në rast lirimi mundet të arratiset në ndonjë shtet armik.
Me të drejtë lexuesi i vëmendshëm i këtyre rreshtave do të shtrojë pyetjen se pse komunistët kishin kaq mëri për z. Sheuqet Muka, saqë nuk toleronin në asnjë drejtim karshi tij? Mendoj se një pjese të kësaj pyetjeje e kam dhënë përgjigjen si më sipër, mendoj se kishte një tjetër shkak për këtë mllef që tregonin autoritetet komuniste. Ishte personaliteti moral i z. Sheuqet Muka, veti këto të cilat nuk ka se si të mos sillnin xhelozi e inferioritet te pala tjetër. Për të dhënë sadopak këtë personalitet moral e politik të z. Sheuqet Muka, që në të kemi një përfytyrim sa më të plotë për personazhin tonë, po shkruajmë një process-verbal hetuesie, të ndërtuar në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve me shkrim. Pyetjet dhe përgjigjet janë interesante dhe kanë brenda tyre një dramë të madhe, dramën e të mirës në luftë me të keqen, e parë kjo në universalizimin e konceptit, është drama e individit, ku jeta e njeriut varet nga pyetjet dhe përgjigjet, ku e vërteta dhe e pavërteta luftojnë me mjete të barabarta, ku injoranca, mediokriteti e prepotenca vulgare lufton me kulturën dhe urtësinë, me logjikshmërinë e gjërave, ku nacionalizmi lufton me internacionalizmin, ku humanizmi lufton me anti humanizmin.
Pyetje: A ke pasë ndonjë nëpunës në kohën e Turqisë?
Përgjigje: Në vjetin 1910 kam mbaruar shkollën ushtarake në Shkodër, s’kam vazhduar shkollë tjetër, për arsye se këmbën e djathtë e kam të dobët (osteoporozë). Kështu që në fund të këtij viti jam emruar mësues në qytetin e Shkodrës.
Pyetje: A të pëlqente okupacioni turk?
Përgjigje: Në këtë kohë si okupator në vendin tonë ka qenë turku. Në vendin tonë ka pasur elementë që punonin për t’u çliruar nga kjo zgjedhë, një nga këta jam edhe vetë.
Pyetje: A ke ndihmuar ndonjë okupacion të huaj në Shqipëri?
Përgjigje: Në vjetin 1912 forcat turke këtu në Shkodër janë rrethuar nga forcat malazeze, forcat turke u shtrënguan të dorëzohen dhe bash në këtë kohë hynë forcat malazeze, por mbas gjashtë javësh forcat malazeze u larguan, për arsye se në Shqipëri erdhën pesë shtetet e mëdhenj: Anglia, Franca, Gjermania, Italia dhe Austro-Hungaria. Këta kanë ndenjur derisa në Shkodër u krijua një komision që përbëhesh nga 12 vetë, të cilët ishin: Hafiz Alush Jahja, Isuf Golemi, Myrto Llazani, Alush Lohja, Muharrem Kazasi, Sylço Bushati dhe nga ana katolike Preng Pasha, Shuk Serreqi dhe katër të tjerë që nuk më kujtohen për emër. Në këtë kohë hynë përsëri forcat malazeze dhe rrinë derisa forcat austriake hynë në vjetin 1918. Kjo situatë vazhdoi derisa Shkodra bashkohet me qeverinë shqiptare që kryesoheshin nga Sulejman Delvina. Unë kam punuar bashkë me të tjerët që të bahet Shqipëria indipendente. Për mua si i ri i asaj kohe më pëlqente liria dhe sidomos kam punuar për çështjen e lirisë që Shqipëria të bëhej autonome dhe jemi munduar bashkë me Ymer Ruzhdinë e të tjerë shokë që pushtetin ta merrte në dorë populli shqiptar, ku bashkërisht ishin dhe bejlerët e agallarët dhe liria u fitua me përpjekje. Qeverinë e parë e formoi Ismail Qemali, pastaj Esat Pashai, më pas populli shqiptar pati fatin e mirë dhe erdhi Princ Vidi, sepse të gjithë shtetet atë kohë kishin për mbret të huaj dhe jo vendas. Mua ky regjim më pëlqeu, mbas këtij regjimi erdhi rebelizma dhe Shkodra u bë Internacionale. Rebelët ishin me Haxhi Qamilin, por kishte dhe turma populli, mbas kësaj erdhi përsëri Esat Pasha. Në vjetin 1924 u krijuan dy parti. Opozita dhe Populli, unë nuk isha në asnjë parti, por isha nëpunës i qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e vjetit 1924 më pëlqeu.
Pyetje: A ke qenë anti italian apo e ke simpatizuar?
Përgjigje: Së bashku me forcat franceze e austriake hynë dhe forcat italiane të cilat më kanë arrestuar dhe më internuan si anti-italian, mbasi në këtë kohë kam treguar aktivitet politik me këta persona, me Halil Berishën (vdekë), Hys Draçinin, Ymer Ruzhdinë, Taip Hylminë dhe të tjerë. Në këtë kohë kemi propoganduar kundra forcave të okupacionit për t’u çliruar nga zgjedhja e tyre, për këto arsye italianët më kanë internuar në Itali, në ishullin e Siçilisë, ku kam ndenjur për një vit pa pak. Jam liruar mbas një marrëveshje që ka ba qeveria shqiptare me qeverinë italiane.
Pyetje: Ç’punë ke bërë në regjimin e Zogut, e ke dashur këtë regjim apo ke qenë kundra tij?
Përgjigje: Gjatë regjimit të Zogut kam punuar arsimtar dhe kam shërbyer në Shkodër si mësues, më vonë jam emëruar drejtor i shkollës fillore. Në vjetin 1933 jam transferuar në Tiranë si Drejtor i shkollës “Hoxha Tahsin”. Mbas tre muajsh të kësaj pune jam thirrë nga drejtoria e Kryqit të Kuq për të marrë në dorëzim Drejtorinë e Strehës Vorfnore në Tiranë. Në vjetin 1928, kur Ahmet Zogu asht bë Mbret i Shqiptarëve, unë së bashku me nëpunësat e tjerë kemi qenë thirrur nga Qeveria për të bë betimin karshi Mbretit Zog, për të qenë besnik karshi punës së tij. Në Monarki ka demokraci, Regjimi i Zogut ka pasë Statut, ku sigurohej Demokracia, ka pasur liri shtypi, ka pasur Parlament dhe Senat, pra i ka pasur të gjitha elementet e demokracisë. Në Parlamentin e Zogut ishin shqiptarë, regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në një shtet të ri ka dhe të meta, nuk mund të kërkohet menjëherë shtet ideal. Për t’u bërë shtet ideal do kohë dhe mua më pëlqen zhvillimi i gjërave me evolucion. Unë jam ithtar i evolucionit.
Fati i popujve në disa raste është realizuar me evolucion e me disa raste me revolucion, por revolucioni ka shumë dëme, shembull është Revolucioni i madh Francez. Regjimi i Zogut nuk e ka shtypë popullin, mbase unë nuk kam parë gjë. Në regjimin e Zogut ka qenë vënë në zbatim reforma agrare ku kanë përfituar edhe emigrantët kosovarë. Ligjet e regjimit të Zogut janë bë për interes të popullit. Në fuqi ishin ata që ishin dhe ligjet e asaj kohe i shërbenin asaj kohe. Ligji është një për të gjithë. Unë në aparatin e shtetit kam qenë nëpunës dhe më pëlqente regjimi i Zogut. Sot është Republikë dhe është regjim I perfeksionuar, pse në fuqi është masa e popullit, edhe dje kanë qenë fuqi ata që ka dashtë populli.
Pyetje: A të pëlqeu okupacioni Italian, ç’bëre kundër tij, a u internove, pse nuk u arratise e të luftoje okupacionin Italian, me se rroje atëherë?
Përgjigje: Fashizmi nuk më pëlqeu. Jam arrestuar nga fashistët në datën 5 qershor 1939, në këtë rast më pushuan nga puna. Kam qenë i pari që u internova në Elbasan, ku kam qëndruar 4 muaj, pastaj më kanë prurë në burg në Tiranë dhe më në fund më kanë liruar dhe kam ardhur në Shkodër. Unë jam internuar si antifashist dhe jo si zogist, mbase italianët mua më njihnin si armik i tyre, unë gjithsej një vit kam qenë i internuar dhe në burg. Derisa kapitulloi Italia kam qëndruar këtu në Shkodër, ku kam qenë i survejuar. Unë e kam ndihmuar më parë Frontin Nacional-Çlirimtar, me aq sa kisha mundësi. Unë jam invalid dhe nuk mundesha me dalë në mal. Unë jetoja me të ardhurat e tokave që kisha, merrja dhe pension që ishte meritë e punës sime.
Pyetje: A i quajte gjermanët okupatorë?
Përgjigje: Gjermaninë e konsiderova si një okupator ma të rëndë se italianët. Me ardhjen e forcave gjermane dhe me kapitullimin e Italisë, jam futur në punë dhe u caktova prej komisionit Nozullimeve në Tiranë si delegat për fabrikën e miellit Shkodër. Në këtë detyrë kam qëndruar për tetë muaj.
Pyetje: A merreshit me politikë?
Përgjigje: Në fillim të vitit 1944 u formua në Shkodër “Besa shqiptare”. Inisiatorët e kësaj organizate qenë: Ndoc Çoba, Tef Gera, Kol Kiri, Hysen Lohja, Hys Draçini, Xhemal Naipi dhe unë Sheuqet Muka. Mbledhjen e parë për të organizuar këtë organizatë e kemi bërë në shtëpinë e Ndoc Çobës. Në mbledhjen e parë kanë qenë këta persona: Ndoc Çoba, Sheuqet Muka dhe Hysen Lohja. Bisedat e para ishin këto: Mbi nevojën e bashkimit, mbrojtja e atdheut, evitimi i vëllavrasjes, vemjen e besës për gjak. Kemi vendosur në mbledhje që të bëhet propagandë dhe agjitacion në popull për të shtuar radhët e kësaj organizate dhe nga ana tjetër anëtarët e organizatës të jenë atdhetarë të mirë. Si pikë kryesore kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e atdheut, largimin nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.
Pyetje: Na trego për “Lidhjen e Shkodrës”.
Përgjigje: Nga mbarimi i muajit mars të vitit 1944, me qëllim që t’u dilet përpara grindjeve dhe gjendjes së krijuar dhe të mos lihet shkak për vëllavrasjen, është bë një marrëveshje ndërmjet këtyre organizatave: “Besa Shqiptare”, “Grupi Nacional Indipendent” dhe “Ballit Kombëtar”. Marrëveshja ka qenë në këto pika: Me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe e dyta, bashkimi në rast mësymjeje nga jugosllavët. Në mbarim të luftës organizatat do të jenë të lira të tregojnë aktivitetin e tyre sipas programit që kanë pasur. Nga “Besa Shqiptare” si përfaqësues kanë shkuar Ndoc Çoba dhe unë, nga “Grupi Nacional Indipendentes” kanë qenë si përfaqësues Hafis Ali Tari dhe Marku i Gjon Marka Gjonit. Prej “Ballit Kombëtar” Lec Kurti e Jup Kazazi. Kjo mbledhje u ba në shtëpinë e Gjon Marka Gjonit, këtu u krijua dhe u vendos ‘Lidhja e Shkodrës’. Rreth 5-6 muaj që ka qenë kjo lidhje mund të jenë bërë rreth 20-30 mbledhje. Unë nuk kam marrë pjesë në të gjitha mbledhjet, mbasi isha i zanë me punë, vendin tim e zinte Hys Draçini, ku ky lajmërohej nga Ndoc Çoba për të shkuar në mbledhje. Për të shtuar radhët e saj, ‘Lidhja e Shkodrës’ ka dërguar anëtarët e saj nëpër nënprefekturën e Qarkut të Shkodrës, për të bërë të njoftun lidhjet e organizatave të mësipërme në një organizatë të vetme sipas një program të përcaktuar. Populli që kishte marrë pjesë në këto mbledhje, e priti mire këtë lajm dhe dha fjalën se do të çojë përfaqësuesit e vet në Shkodër.
Mbledhja e Shkodrës asht ba nga mbarimi I majit të vitit 1944 në kinema “Rozafat”. Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e Ballit Kombëtar që përfaqësoheshin nga Lec Kurti e Jup Kazazi, nga Grupi i Nacional Indipendentes, Shuk Gurakuqi dhe Hafiz Ali Tari, nga Besa Shqiptare, Ndoc Çoba dhe Sheuqet Muka, si dëgjues ishin ftuar mjaft pari. Mbledhja e të tre organizatave ka pasë për qëllim bashkimin e gjithë Qarkut të Shkodrës për të qenë gati për kohën e ardhshme dhe për të evituar vëllavrasjen. Mbledhjen e çeli përfaqësuesi i Besës Shqiptare, Ndoc Çoba, këtu u përcaktuan dhe forma organizative e Lidhjes Shkodrane. ‘Lidhja e Shkodrës’ ka pasur karakter lokal. ‘Lidhja e Shkodrës’ u shkatërrua aty nga mesi i muajit shtator, shkaqet e shkatërrimit qenë gjendja e keqe që u krijua.
Pyetje: A kishe marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit?
Përgjigje: Në kohën e formimit të ‘Lidhjes së Shkodrës’ ka ardhur në qytetin tonë një delegacion i Lidhjes së Prizrenit i cili përbëhej nga katër vetë, ndër ta njof vetëm Kol Margjinin. Arsyeja e ardhjes së tyre ishte me thirrë parinë dhe krerët e vendit për me shkue në Prizren. Ata na kërkuan një delegacion prej 70-80 vetash për të asistuar në një mbledhje që do të bëhej në Prizren e që kishte si qëllim mbrojtjen e Kosovës. Meqenëse neve ishim krijuar rishtaz, dërguam si delegatë këta tre persona: Hys Draçinin, Shuk Gurakuqin dhe Jup Kazazin. Kur u kthyen delegatët tanë nga Prizreni, i paraqitën kryesisë një raport në lidhje me organizimin e Lidhjes së Prizrenit, mbi forcat që ata dispononin dhe qëllimin e tyre. Tendenca e kësaj besëlidhje në Prizren ka qenë çlirimi i Kosovës nga Jugosllavia dhe me u bashku me Shqipërinë. Përveç kësaj marrëveshje nuk di të jetë bërë marrëveshje tjetër.
Pyetje: A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë Kongresi i Legalitetit?
Përgjigje: Në vitin 1943 kam qenë në ZallHerr, katund afër Tiranës mbasi aty bahesh Kongresi i Legalitetit, kam qenë i ftuar si dëgjues. Në këtë mbledhje kanë qenë të ftuar nga të gjitha krahinat e Shqipërisë elementët zogistë, numri i delegatëve ishte afro 150 vetë. Nga qyteti i Shkodrës kam qenë unë, Xhemal Naipi, Hys Draçini, Tef Gera, Kol Kiri, Lin Shan Deda dhe Ndoc Çoba. Organizata “Besa Shqiptare” u ftua në këtë kongres si organizatë në vete. Bazi i Canes kryesonte mbledhjen. Në fillim të hapjes së konferencës është vënë një pllakë e hymnit të Zogut, në mbarim të kongresit është vënë
një pllakë me hymnin e Flamurit. Ndoc Çoba mbajti një fjalim me rastin e hapjes së Kongresit, ky bëri një përshkrim shumë të shkurtër mbi luftën e 7 prillit të vitit 1939, gjithashtu ai foli mbi mënyrën e bashkimit të anëtarëve të Legalitetit.
Në këtë mbledhje u vendos që të bashkohen dhe të pregatiten forcat për të luftuar okupatorin, qëndrimi karshi vllavrasjes. Këto ishin qëndrimet kryesore të kongresit. Në mbarim të kësaj mbledhje, konferenca autorizoi Bazin e Canes që të zgjidhte vetë anëtarët e këshillit kombëtar, mbasi situate e donte që këta të ishin të fshehtë. Zotëri të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj tradhëti, pse s’kam ba tradhëti që të pendohem e të dënohem. “Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhtare, as “Lidhja e Shkodrës”. /Memorie.al