Policia Kufitare ka bllokuar 24 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë, gjatë kontrolleve përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.
Konkretisht janë bllokuar 15 jet ski, 5 skafë dhe 4 gomone.
17 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 4 nga Durrësi në Shëngjin, ndërsa 3 në Velipojë.
6 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.
Drejtuesit e 18 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 3 raste, duke ndihmuar dhe shpëtuar 4 shtetas që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë./