Nga Ksamili në Koman bllokohen 21 Jet Ski, 15 mjete lundruese në Vlorë, Durrës e Shkodër, gjobiten nga Policia Kufitare…

Shpërndaje

Nga Ksamili në Koman policia bllokon 21 mjete lundruese ku përfshihen Jet Ski, gomone skafe deri dhe varka. Lajmi u bë i ditur nga departamenti i Policisë Kufitare, dhe lidhet me sigurinë e pushuesve, që këto muaj ka qenë dhe përparësi e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Policia nuk është mjaftuar vetëm me bllokimin e mjeteve lujndruese, pasi ka vendosur edhe gjoba ndaj pronarëve të tyre si dhe përdoruesve, që lëviznin në det në shkelje të ligjit.

“Përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve. Nga Ksamili në Koman, Policia Kufitare ka bllokuar 21 mjete lundruese. Mjetet e bllokuara: 11 Jet Ski, 4 gomone, 4 skafe dhe 2 varka.“- njofton policia.

Nga ana tjetër 15 mjete lundruese janë bllokuar edhe nga Policia Kufitare e Vlorës, 3 nga Policia Kufitare e Shkodrës dhe dhe 3 nga Policia Kufitare e Durrësit.

Shkeljet e konstatuara nga policia që kanë çuar në bllokimin e mjeteve lundruese dhe dhe gjobat kanë qenë: lundrim në zonë të ndaluar, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, tejkalim i numrit të pasagjerëve të lejuar në bord, mosregjistrim i mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar dhe mungesë dokumentacioni.

“Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë. Në Tale, Shëngjin, Velipojë, Durrës, Dhërmi, Radhimë dhe Sarandë janë bllokuar 11 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar, konkretisht në trajektoren e lëvizjes së trageteve të linjës Sarandë-Korfuz; 8 drejtues u ndëshkuan secili me masën administrative 10 000 lekë, për mungesë të dokumentacionit në bord, ndërsa 2 drejtues u ndëshkuan me masën administrative 20 000 lekë, për mosregjistrim të mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar me ligj.“- informon policia.

Ndërkohë edhe në Koman, Dhërmi, Orikum, Vlorë, Ksamil dhe Sarandë janë bllokuar 4 mjete lundruese gomone, 4 mjete lundruese skafe dhe 1 varkë.

Secili nga drejtuesit është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, për mungesë të dokumentacionit në bord.

“Në Sarandë u bllokua një varkë plastike. Drejtuesi i saj u ndëshkua me masat administrative 100 000 lekë dhe 20 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për tejkalim të numrit të pasagjerëve të lejuar në bord. “- theksohet në njoftim.

Me këtë rast Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Shpërndaje