Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët dhe më së shumti meshkujt që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru. Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se më 2019-n kanë humbur jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut 32 persona në ditë.
Në total 11,704 persona kanë humbur jetën nga zemra ose tensioni, ose 53% e totalit të vdekjeve natyrale.
Sipas INSTAT, janë rritur me 0.9% vdekjet nga sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut në 2019-n, në raport me një vit më parë.
Rritja ka ardhur tërësisht nga meshkujt, humbjet e jetëve të së cilëve janë rritur me 3.2%.
Meshkujt përbëjnë dhe përqindjen më të lartë të humbjes së jetëve nga kjo sëmundje, me 51.5%, përkundjet 50% të grave. Për 1,000 banorë, grupi i sëmundjeve të “aparatit të qarkullimit të gjakut” është shkaku kryesor i vdekjeve si tek burrat dhe tek gratë me një nivel vdekshmërie 4.2 për burrat dhe 3.97 për gratë (për shkak të numrit më të lartë të grave në total, teksa 50.8% e popullsisë në total ishin femra në 2019-n).
Në vitin 2019 është konstatuar një rritje e lartë e vdekshmërisë nga zemra dhe tensioni në grupmoshën e meshkujve 45-49 vjeç (+17%) dhe 55-59 vjeç (+4.6%)
46% e vdekjeve të meshkujve nga kjo sëmundje ishin të grupmoshës nga 40-59 vjeç, kundrejt 43% që ishte një vit më parë.
Mjekët pohojnë se vdekjet më të larta tek meshkujt i atribuohen stilit te jetesës më së shumti. Doktor P. Malaj thotë se, meshkujt janë të ekspozuar më shumë ndaj pirjes së duhanit, alkoolit, dietës së pa kontrolluar dhe punëve të rënda që rëndojnë sëmundshmërinë dhe sidomos sëmundjet e qarkullimit të gjakut.
Ai tha së sëmundjet e qarkullimit të gjakut gjithnjë e në rritje janë pasojë e një diete të pakontrolluar e shoqëruar me mungesë aktiviteti fizik.
Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë mbi ndikimin e faktorëve të rrezikut të sëmundshmërisë në Shqipëri identifikojnë tre faktorë të rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë, rreziqet e lidhura me dietën ushqimore, hipertensioni arterial, duhanpirja.
Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur rritje domethënëse në barrën e sëmundshmërisë, që u atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri.
Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë. Në dy dekadat e fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri.
Barra totale e sëmundjes për meshkujt dhe femrat shqiptare është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, raporton Ministria e Shëndetësisë në strategjinë kombëtare të shëndetit 2016-2020, ndërkohë që sëmundjet infektive në Shqipëri kapin një përqindje të lartë të barrës së përgjithshme të sëmundjeve, barra e sëmundjeve të patransmetueshme (NCDs) në Shqipëri është rritur me 34% nga viti 1990 deri në vitin 2010.
Ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm si për burrat dhe për gratë. Sëmundjet kardiovaskulare përbënin rreth 55% të të gjitha vdekjeve (51% te meshkujt dhe 61% te femrat) analizoi Ministria e Shëndetësisë.
Berati me zemrën më të dobët, rritet Shkodra
Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.
Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).
Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.
Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili) , Vlora (4.9), Dibra (4.4).
Zemrën më të fortë e kanë tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4).
Ka evidenca në rritje se shëndeti dhe mirëqenia nuk janë të lidhura vetëm me performancën e sistemit shëndetësor. Ka faktorë të tjerë socialë të lidhur me të ardhurat, arsimimin, strehimin dhe mjedisin që kanë ndikim të fortë në shëndet dhe mirëqenie që kërkojnë përqasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë sektorët e qeverisë, si dhe aktorëve të tjerë në shoqëri.
Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare./Monitor