Ditën e nesërme do të nisë “fshesa” për ndërtimet pa leje në vijën bregdetare e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama pak javë më parë. Aksioni do të nisë në dy skajet e bregdetit në veri dhe jug, përkatësisht nga Velipoja dhe Ksamili.
Kreu i Kadastrës Artan Lame tha se do të fillohet menjëherë me prishjen e ndërtimeve pa leje në pjesën e bregut të Ksamilit, gjë që do të lirojë nga mbingarkesa edhe njësitë akomoduese që gjenden pak më tej.
Ndërkohë vetë kreu i qeverisë Edi Rama ka njoftuar se pas vijës bregdetare aksioni do të përqendrohet në zonat e mbrojtura. Rama u shpreh se me ndryshimet ligjore në rast evidentimi të ndërtimeve pa leje rrezikon burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin.
Tashmë është policia që duhet të kapë në flagrancë ndërtimet pa leje dhe më pas ato duhen referuar në IKMT për të nisur aksionin e shembjes.
Kontrolli
Përveç uniformave blu, për evidentimin e ndërtimeve pa leje pritet të vihen në punë edhe dronët super-inteligjentë, sistem i cili do të aplikohet në Shqipëri në sajë të bashkëpunimit me ekspertët turq. Këta dronë, sipas kryeministrit, do të prodhojnë të dhëna në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik dhe hapësira të tjera.