
Muaji i shenjtë i Ramazanit, i njohur si muaji i sakrificës për besimtarët myslimanë, nuk përjetohet njësoj nga të gjithë, veçanërisht në sporte të rënda si boksi. Përballja me qindra kilogramë forcë gjatë një ndeshjeje kërkon energji të madhe, por kjo nuk e ka ndaluar Nelson Hysën të ruajë traditën e tij fetare dhe njëkohësisht të shkëlqejë në ring.
Një javë më parë në Gjermani, ai arriti një tjetër fitore, duke përmirësuar rekordin e tij në peshën e rëndë me 21 ndeshje, 21 fitore, 19 me KO.
“Kam mbi 20 vite që agjëroj dhe nuk e kam prishur asnjëherë, as kur kam ndeshje. Edhe në përballjen e fundit në Gjermani, prita iftarin dhe më pas u ngjita në ring, ku arrita një tjetër fitore,” shprehet Hysa.
Lidhur me përgatitjet gjatë Ramazanit, ai shpjegon:
“Nuk jemi në nivelet më të larta të stërvitjes, por intensiteti mbetet i njëjtë. Trajnerët nuk na tolerojnë aspak, edhe pse stërvitemi para iftarit.”
Nelson Hysa është kampioni i vetëm shqiptar i Europës në boks dhe vazhdon të mbajë këtë titull. Objektivi i tij i radhës është edhe më i madh:
“Kam oferta për sfida me boksierë brenda top 15-shes botërore. Një nga këto duele është për një titull shumë të rëndësishëm, një hap larg titullit botëror. Nëse fitoj këtë përballje, do të jem kandidati kryesor për të sfiduar kampionin e botës.”
Me 25 vite si kampion i Shqipërisë dhe pa rival në peshën e tij, Nelson Hysa është një model frymëzimi për të rinjtë, duke treguar se përkushtimi dhe disiplinimi janë çelësi i suksesit, si në sport ashtu edhe në jetë.